Dashnor Kaloçi
Kontrolli, përgjimi, survejimi, censura dhe diktati i regjimit komunist të Tiranës ndaj shkrimtarëve dhe artistëve në veçanti, duket se ka filluar që me shkrimet e para të tyre, kur ata ishin nxënës apo në bankat e auditorëve të universiteteve, ku studionin, duke nxitur dhe inkurajuar “kulturën e spiunimit” ndaj njëri-tjetrit. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga këto dokumente arkivore me siglën “sekret”, që ngrenë siparin e këtij libri voluminoz që me kapitullin e parë të tij.
Ashtu siç do të shohim më poshtë, si dhe nga faksimilet përkatëse, këto dokumente i përkasin viteve 1949-1950 dhe bëjnë fjalë mbi studentët shqiptarë, që asokohe ishin me studime në Bashkimin Sovjetik.
Jusuf Alibali, (1922-2003) i cili studionte për Histori, për punë të diplomës kishte zgjedhur të bënte një tekst me titull “Zhvillimi i shtetit shqiptar”, i cili pak a shumë ishte vetë libri i Historisë së Shqipërisë, apo thënë ndryshe, një maket i tij.
Por, pasi ua kishte dorëzuar atë pedagogëve të tij rusë për ta parë dhe për të dhënë vlerësimet e tyre, ata duket se kishin vënë re mjaft “të meta dhe gabime”, gjë të cilat i kishin nënvizuar në një recension, që ata kishin bërë për librin në fjalë të Alibalit.
Mirëpo, kjo gjë duket se nuk kishte kaluar fare në heshtje, përkundrazi, kishte bërë bujë të madhe edhe te bashkatdhetarët e tij studentë shqiptarë dhe nisur nga ky fakt, Fatmir Gjata (më pas shkrimtar i njohur dhe për shumë vjet sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), ia kërkoi kolegut të tij, Jusufit që t’ia jepte recensionin e bërë nga historian rus, z. M. Cernillovksi.
Por, ndërsa Jusufi u mundua që t’ia fshihte atë, Fatmiri ia mori me forcë në çantën ku ai e mbante dhe më pas e denoncoi atë tek ambasadori shqiptar në Moskë, Reis Malile – dhe gjithashtu edhe në Komitetin Qendror të PPSH-së në Tiranë (nuk dihet nëse është me qëllim apo koincidencë fatale, pasi Fatmir Gjata e ka dërguar denoncimin e tij ndaj Alibalit, pikërisht më 17 janar 1950, ditë që përkon me vdekjen e Skënderbeut).
Ajo që vihet re tek recensioni i historianit rus ndaj librit (maket) të Alibalit, është figura e Skënderbeut, ku sipas tij, Jusufi e ka idealizuar figurën e Skënderbeut. Kështu, ndër të tjera, historiani rus shkruan: “Është e dyshimtë që Skënderbeu (figura e të cilit është idealizuar në mënyrë të tepërt, jashtë klasave dhe luftës së klasave) mundi të krijojë një shtet të centralizuar dhe unitar”.
Në vërejtjet e tij të tjera të bëra në recensionin (prej katër faqe e gjysmë), historiani rus, i cili nuk nguron të shkruajë se, “nuk jam specialist i Historisë së Shqipërisë”, e akuzon studentin shqiptar, Jusuf Alibali, se nuk i ka parë ngjarjet e periudhës së Skënderbeut si marksist, por është ndikuar nga admirimi personal rreth figurës së tij etj., etj..
Të gjitha këto dhe të tjera bëhen të ditura në këto dokumente arkivore të publikuara në këtë kapitull të parë të këtij libri, ku tre të parët jepen të plotë, ndërsa recensionin e historianit sovjetik, Cernillovksi, po e japim me shkurtime, pasi përmbajtja e tij del jashtë kontekstit për të cilin e kemi përfshirë në këtë kapitull.
………………………………………..
LETRA E FATMIR GJATËS PËR AMBASADORIN REIS MALILE
Shoku ministër
Prej dy ditësh të kaluara mora vesht nga shoku… se Jusuf Alibalit i kishin bërë një recension për librin e tij, për diplomën, të cilën e ka dhënë për botim. Më datën 17 janar, në mëngjes, i kërkova shokut Jusuf, recensionin për ta kënduar, i bindur se ai e kishte me vete. Por ai më gënjeu. Më tha: “Recensionin e dorëzova në dekanat”. I thashë: “Recensionin duhet ta lexojë Legata, ose ministri Reis Malile “.
Por ai m’u përgjigj: “U them unë për këtë”.
E pyeta: “Po ndoshta s’e ke dorëzuar në dekanat”?
M’u përgjigj: “S’jam mësuar të gënjej, e dorëzova dje”.
Në këtë kohë, unë ia gjeta recensionin në çantën e tij, në sy të tij. I nxehur nga kjo gjë dhe i turbulluar nga ky flagrant, filloi të flasë me një gjuhë që s’i ka hije as komunistit, as njeriut të ndershëm. Ai më tha tekstualisht: “Ju jeni maskarenj, intrigantë, spiunë. Kjo është vijë e vjetër”.
I thashë: “E kam për detyrë që t’i ruaj shokët, t’i kontrolloj, ashtu siç e kanë për detyrë edhe shokët që të më kontrollojnë, për të mirën time e të përgjithshme”.
Unë i thashë se tekstin e recensionit do ta përkthej dhe se do t’ia dërgoj Legatës dhe Komitetit Qendror”. Ma preu fjalën: “Unë nuk ta lejoj ta marrësh”. Unë iu përgjigja: “Mund të më raportosh për këtë, si përgjegjës, marrë përsipër çdo pasojë që të ketë”.
Me kaq mori fund bisedimi.
Tekstin e përktheva dhe po ua dërgoj.
Për ç’arsye unë u interesova t’ia marrja recensionin s’ka nevojë t’ua shpjegoj. Do ta lexoni vetë. Libri i tij ka shumë të meta (në bazë të recensionit) dhe kjo është arsyeja që shoku Alibali e fshehu recensionin nga unë, nga shokët, nga Legata. Sigurisht ai mund të qiste arsye të shumta, mund të thotë se recensioni s’është i drejtë, se recensioni është për variantin e parë të diplomës, se ai tani e ka përpunuar diplomën dhe e ka gati një variant të dytë. Të gjitha këto mund t’i thotë. Por unë vij në këtë përfundim.
1. Të shqyrtohet se ku e ka dhënë diplomën për botim.
2. Të lexohet diploma nga ju dhe kritikët sovjetikë që nuk e njohin Jusuf Alibalin (se njerëzit që e njohin, ai i bën me vete, sigurisht jo të gjithë).
3. Për botimin e librit në formën që është, në bazë të recensionit, unë s’marr asnjë përgjegjësi si përgjegjës i kulturës që jam. Unë u besoj më tepër kritikëve sovjetikë (që s’e njohin Jusufin), se sa Alibalit dhe njerëzve që e njohin atë.
4. T’i thuhet shokut Alibali personalisht nga ju, se shokët e tij dhe Byroja nuk janë maskarenj, nuk janë spiunë dhe nuk ndjekin vijën e vjetër të Koçi Xoxes.
5. T’i hiqet nga mendja shokut Alibali se gjoja ai është i persekutuar dhe vazhdon të persekutohet dhe se shokët nuk ia duan të mirën atij. Kjo s’është e vërtetë. Mund të ketë pasur raste të tilla, por të vogla, mbas të cilave kapet shoku Alibali.
6. Për hir të lavdisë së tij, shoku Alibali gënjeu përgjegjësin e tij. Nga kjo rrjedh se për hir të lavdisë së tij, ai mund të gënjejë dhe partinë.
7. Ju lutemi për këto vini në dijeni shokun Reis Malile dhe Komitetin Qendror.
Moskë, 17 janar 1950
Anëtar i byrosë së studentëve në B.S.
Përgjegjës i Kulturës
(Fatmir Gjata)
………………………………………..
RAPORTI I REIZ MALILES NGA MOSKA PËR KOMITETIN QËNDROR
LEGATION
MOSKE 4.XI.1949
A REPUBLIQUE POPULAR
D’E ALBANIA A MOSKOU
KOMITETIT QENDROR
TE P.P.SHQIPERISE
(Drejtorisë së Propagandës)
TIRANË
Bashkëngjitur ju dërgojmë një kopje të shkrimit “Republika Popullore e Shqipërisë”, shkruar nga studenti Isuf Alibali me rastin e mbrojtjes së tezës së tij për marrjen e diplomës në universitet.
Jua dërgojmë në rusisht, meqenëse autori për të mos humbur kohë, e shkruajti direkt në rusisht, pa e shkruar më parë në Shqipe, megjithatë ne e kemi porositur atë ta përkthejë shqip, si rrjedhim në rastin më të parë do t’ua dërgojmë.
Në bazë të thënieve t’Isufit, punës së diplomës, mbasi t’i bëhet edhe një ripunim së shpejti (shpresojmë nga janari 1950), do të botohet në shtyp nga ana e shtypshkronjës së universitetit.
Para se të procedohet me këtë të fundit, mendojmë se do të ishte e nevojshme që vepra të kontrollohet nga ana juaj.
Mundësisht më njoftoni në rast se këtë rrugë e shihni të arsyeshme, në mënyrë që kur të mbarohet punimi definitiv këtu, të kërkoj që një kopje t’ua dërgoj juve për të vendosur rreth shtypjes.
Lidhje 1 libër.
(Reiz Malile)
………………………………………..
Kryedrejtoria e Industrisë Poligrafike e botimeve dhe e tregtisë së librave pranë Këshillit të Ministrave të B.S.
SHTËPIA BOTONJËSE SHTETËRORE E LITERATURËS JURIDIKE
4 janar 1950
Universitetit Shtetëror të Moskës
Dekanatit të Fakultetit Juridik
Shtëpia Botonjëse Shtetërore e Literaturës Juridike po u kthen dorëshkrimin e autorit Alibali Jusuf “Zhvillimi i shtetit shqiptar” së bashku me recensionin e librit bërë nga docent Z. M. Çernillovksi. Në lidhje me faktin se dorëshkrimi ka nevojë për një përpunim rrënjësor, Shtëpia Botonjëse nuk mund ta pranojë për botim.
Drejtori i Shtëpisë Botonjëse
D. Tatarkin
………………………………………..
RECENSIONI I DIPLOMËS SË JUSUF ALIBALIT NGA HISTORIANI SOVJETIK
Recension i dorëshkrimit “Zhvillimi i shtetit shqiptar” nga Jusuf Alibali
1-Tema e zgjedhur nga autori është mjaft aktuale. Lexonjësi sovjetik prej kohësh pret librin mbi Shqipërinë, historia e së cilës, duke përfshirë edhe të renë, është e sqaruar në mënyrë të zbehtë në literaturën tonë. Prandaj me keqardhje të sinqertë konstatojmë se dorëshkrimi i Alibalit në gjendjen e tij të tanishme nuk është i përgatitur për shtyp dhe ka nevojë për punim serioz.
2-Numrin më të madh të të metave e ka pjesa historike e librit. Libri është shkrojtur në mënyrë aq skematike dhe aq pa sistem, sa nuk të jep asnjë dijeni të përpiktë mbi historinë e Shqipërisë. Kjo histori aspak nuk është lidhur nga autori me përmbajtjen kryesore të librit dhe duke folur prerë, kjo nuk duhet. Në qoftë se është e nevojshme, po jap disa vërejtje të veçanta.
a. Faqja 3 – lexonjësit nuk i është shpjeguar se ç’janë pellazgët.
b. “Teoritë” të prejardhjes së popullit shqiptar janë përmendur në mënyrë jokritike, aty nuk shihen interesat e klasës, interesat kolonizatore të autorëve të këtyre teorive.
c. Fillimi i historisë së Shqipërisë “hapet me njëherë” me feudalizmin dhe shtjellimi i saj bëhet në një mënyrë të tillë që lexonjësit i tregon më tepër ngjarjet sesa zbërthimin e tyre. (Me njëherë dhe pa pritur del p.sh. Dushani, lexuesi shkel e shko mëson se Skënderbeu ka luftuar kundër princave etj.).
d. Është e dyshimtë që Skënderbeu (figura e të cilit është idealizuar në mënyrë të tepërt, jashtë klasave dhe luftës së klasave) mundi të krijojë një shtet të centralizuar dhe unitar. (faqja 4).
dh. Data, në faqen 5 nuk është e njëjtë për të gjitha vendet Evropës.
e. Fakti që autori flet mbi elementët e tri periudhave historike gjatë sundimit të Skënderbeut, tregon qartë mbi mungesën e të gjithë metodës historike të autorit. Për autorin, forma hierarkike e qeverisjes ose absolutizmit është një formë qeverisjeje e mundshme për të gjitha kohët. Për marksistin si njëra formë, ashtu edhe tjetra lidhet me një sistem social-ekonomik të caktuar në shkallët e ndryshme të zhvillimit të tij. Për absolutizmin kërkohet veçanërisht zhvillimi i borgjezisë “ekuilibër” i fuqive të borgjezisë dhe të feudalizmit etj. Aq më tepër është për t’u habitur kur lexon mbi përzierjen e elementëve të demokracisë ushtarake, dmth., të komunizmit primitive dhe të absolutizmit, pra etapat e fundit të feudalizmit.
f. Faqja 6-7 duhet këtu “habeas korpus” ligji i një epoke krejt tjetër. Një krahasim i tillë johistorik nuk është i mundur. Dhe pastaj përse “habeas korpus” qenka kriter i garancisë së lirisë personale?
g. Faqja 7. Thëniet e Skënderbeut janë dhënë pa sistem, në një plan admirimi entuziast dhe në këtë formë nuk të jep asnjë ide mbi karakteristikat e pushtetit të tij “nga pikëpamja e interesave të klasës e shtresave të caktuara të kësaj klase etj.” si dhe mbi pikëpamjet politike të tij. Ç’kuptim ka për shembull në këtë formë “kontrolli personal i zbatimit” për të cilin autori flet si për një nga principet e politikës së Skënderbeut.
gj. Karakteristika e arsyeshme të rënies së perandorisë turke nuk është e përpiktë dhe nuk është e qartë (faqja 8). Në faqen 11 thuhet se ngritja e lëvizjes nacionalçlirimtare të punonjësve ishte arsyeja kryesore e lëvizjes për autonomi. Për ç’arsye (faqja 12) kjo lëvizje “nuk arriti në një lëvizje popullore të masave”? Ç’janë autonomistët? Për ç’arsye në shekullin e XVI populli u ngrit kundër shtypësve dhe në shekullin e XIX nuk dëshironte të ngrihesh?
i. Në faqen 13 flitet për ngjarjet në Veri dhe në Jug të Shqipërisë, për të cilat ndoshta nga paraqitja e errët, lexuesi nuk merr vesh asgjë të përcaktuar.
j. Shumë gjëra të paqarta ka përshkrimi i fiseve dhe i tribuve të malësisë së Shqipërisë. Nga kjo del se atje ka ekzistuar komunizmi primitiv, demokracia ushtarake, shoqëria në klasa e cila kaloi drejt e drejt në kapitalizëm (faqja 15-18). Dhe që është ruajtur deri në shekullin e XX. Ndërkaq, autori flet mbi të drejtën e ekzistencës së zakoneve ndër ta. Është e dyshimtë teza e autorit, simbas të cilit fisi është kategori (fiziologjike) ky fis në radhë të parë është një kategori shoqërore, pastaj marrëdhëniet e fiseve janë prishur prej kohësh. Në qoftë se autori fisin e paraqet të “komunizmit primitiv”, atëherë aleanca e fiseve? Ose bajraku qenka kategori shtetërore. “Njësi e qeverisjes lokale” qenka formë organizative, administrative etj. Unë nuk jam specialist në këtë fushë të historisë së Shqipërisë, por unë mendoj se përshkrimi i dhënë nga autori është i dyshimtë, aq më tepër kur në faqen 29 sikur deklaron që në malet e Shqipërisë ka ekzistuar sistemi feudal.
k. Librin e dëmton shumë mungesa e interpretimit të ngjarjeve historike në frymën e luftës së klasave, kur lexon për Lidhjen e Prizrenit nuk merr vesh se ç’farë paraqit ajo nga ana e përbërjes së klasës dhe ç’farë qëllimi ka. Vallë a mund të flitet gjithnjë “popull” kur ke të bësh me shoqëri me klasa aq më tepër shoqëri eksploruese? Shoku Stalin me kohë e ka shpjeguar se “populli” kur ke të bësh me shoqëri me klasa, aq më tepër shoqëri eksplloatonjëse. Shoku Stalin ke kokë që e ka shpjeguar se “populli” është proletariat dhe fshatarësia. Si mbas autorit, Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit “kishte ndër të tjera karakter klase” (faqja 18) Po çfarë karakteri?
Sesi Shqipëria u bë e pavarur, autori nuk e shpjegon (faqe 210. Mos vallë Konferenca e Londrës krijoi ose dëshironte të krijonte një shtet sovran të Shqipërisë (faqe 22). Është e dyshimtë gjithashtu se me rënien e Von Vidit “shteti shqiptar pushoi së ekzistuari edhe formalisht. A do të jenë dakord me këtë tezë historianët e Shqipërisë. Ikja e princit gjerman a e likuidon me të vërtetë ekzistencën e shtetit shqiptar? A është e vërtetë se ky shtet ekzistoi vetëm formalisht. Kush pra e krijoi atë: Anglia ose Von Vidi, apo jo populli shqiptar?
………………………………………..
S’është nevoja të përmendim të gjitha vërejtjet. Ato janë me dhjetëra në çdo faqe (pa folur për stilin dhe formularët që kanë nevojë për një redaktor me eksperiencë të kujdesshme, por kjo është e justifikuar për autorin).
Përfundimi im: Gjashtë kapitujt e parë nuk duhen fare. Në vend të tyre duhet shkrojtur një hyrje mbi Shqipërinë në pragun e Luftës së Dytë Botërore, ekonominë e saj, klasat, partitë, vijat kryesore të luftës NÇL dhe të luftës së klasave, mbi ndërtimin politik.
………………………………………..
Përfundimi: Libri mbi Shqipërinë është shumë i nevojshëm, por në këtë gjendje që ai është paraqitur nga shoku Alibali, ai nuk mund të rekomandohet për botim. Duhet ndihmuar autori që ta përpunojë librin.
(Z. M. Cernillovksi)