LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Korrigjojeni demarkacionin dhe do ta votojmë

Haradinaj: Korrigjojeni demarkacionin dhe do ta votojmë

Do ta votonim demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, nëse ai do të vinte i korrigjuar në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk duhet që t’i humbim të gjitha energjitë në këtë çështje. Kështu ka theksuar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ai në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se 2016-ta ka qenë vit i rëndë për Kosovën, ku, sipas tij, qytetarëve të vendit i është rënduar gjendja sociale dhe ekonomike.

Haradinaj ka folur edhe për Gjykatën Speciale dhe aktakuzat që priten të ngriten për krimet e supozuara të ish – pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se kjo është një precedent i çuditshëm, dhe duke shtuar se si “pasojë e humbjes se betejës për të bërë një gjyqësor funksional dhe të besueshëm na ka ardhur kjo ‘dhuratë’”.


Sipas tij, koalicioni qeverisës në mënyrë jo korrekte ka tentuar që ta shes para qytetarëve idenë se demarkacioni është problemi që po e pengon Kosovën që ta marrë liberalizimin e vizave.

Haradinaj nuk e ka harruar as çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, duke thënë se AAK dhe Nisma për Kosovën janë duke përgatitur një platformë, përmes së cilës po ofrojnë alternative për zgjidhjen e problemeve në Kosovë.

Shefi i AAK-së, ka dhënë vlerësimin e tij për vitin që po e lëmë pas, periudhë në të cilën mendon se Kosova ka stagnuar, dhe se ka pasur përkeqësim të gjendjes në rend, ligj dhe ekonomi.

“Pastaj jemi ballafaquar me disa rreziqe që i janë kanosur Kosovës, duke filluar prej ligjit të keq për Trepçën, marrëveshja e gabuar për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe Demarkacionin”, ka theksuar ai.

Sipas tij, “Zajednica” dhe Demarkacioni kanë qenë marrëveshje të nënshkruara njëanshëm nga Qeveria e Kosovës, pa transparencë dhe pa konsultimin të opozitës.

“Gjykata Kushtetuese e ka gjetur që Bashkësia e Komunave Serbe është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Ligji për Trepçën, po ashtu ishin gabim në fillim, derisa u përmirësua dhe më pas u votua. Nëse bëhet korrigjimi i demarkacionit – kthimi i kufirit ne Çakorr, Kullë dhe nëpër majat e larta, kemi gatishmëri që ta votojmë. Kemi parë gatishmëri që Bashkimi Evropiane (BE), me ndihmu në korrigjim, por po vërehet një tendencë nga kryeministri për ta penguar këtë gjë”, ka shtuar ai.

Haradinaj, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka theksuar se është e pasaktë tendenca e koalicionit qeverisës se pengesë për liberalizimin e vizave është demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, duke thënë se “këtë temë në pako të kushteve e kanë futur Qeveria e Kosovës”.

“Dihet se kushte kryesore të BE-së për liberalizimin e vizave, janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe administrata funksionale. Përgjegjësia për mos liberalizim është e koalicionit qeverisës, dhe nuk ka lidhje opozita në këtë temë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, insistimi i ndërkombëtarëve që të zgjidhet çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, është që ajo temë të përfundojë, por jo se ku duhet të jenë kufijtë.

“Nuk mund të votojmë diçka në të cilën Kosova humb territor. Është e dëmshme për vendin një precedent i tillë. Kosova nuk ka pretendime ndaj Malit të Zi, përkundrazi ne e mbështesim rrugën euroatlantike të shtetit fqinj. Do të gëzoheshim nëse do të korrigjohej versioni aktual i demarkacionit”, ka shtuar ai.

Shefi i AAK-së, konsideron se Gjykata Speciale është padrejtë për Kosovën, sepse sipas tij, gjykata me ligje të Kosovës të dalë jashtë Kosovës është precedent i çuditshëm.

“Kjo gjykatë merret më krimet e supozuara të kryera nga shqiptarët, e jo me krimet që i kanë kryer serbët. Do të thotë kemi të bëjmë me një gjykatë e cila është e ngritur mbi baza etnike. Unë konsideroj se e kemi humbur betejën më veten, sepse nuk kemi krijuar një gjyqësor kredibil. Këtu kemi të bëjmë sidomos me një dështim të ish – kryeministrit Hashim Thaçi, për arsye se mosbesimi në këtë shkallë kaq të lartë në drejtësinë kosovare, është instaluar gjatë kohës që Thaçi ka qenë shef i Qeverisë”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, mund të ndodhë që Kosova, nga Gjykata Speciale, t’i bëjë lajmet ndërkombëtare, dhe të dëmtohet rëndë imazhi i saj.
Haradinaj është përgjigjur edhe në pyetjen se kur është koha ideale e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale, duke thënë se zgjedhjet është dashur të mbahen më herët, sepse, sipas tij, qytetarët po e paguajnë shtrenjtë këtë gjendje.

“Partitë që janë në pushtet e prezantojnë platformën e vazhdimit të kësaj gjendje, ndërsa partitë në opozitë prezantojnë ndryshimin. Boshti opozitar AAK dhe Nisma, janë në konsolidim e sipër, dhe po prezantojnë një platformë të ndryshimit”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se janë duke punuar që para qytetarëve ta prezantojnë një platformë, e cila jep përgjigje sipas tij, për problemet në arsim, sundim të ligjit, shëndetësi, në planin e jashtëm, etj.

“Jemi duke përgatitur strategjinë e zhvillimit 2017 – 2027. Jemi në punë e sipër. Ne i kemi ofruar partneritet edhe Aleancës për Kosova e Re (AKR), ku edhe është e mundshme te kemi një marrëveshje në mes nesh. Nëse arrijmë një koordinim, ne edhe mund t’i fitojmë zgjedhjet, duke pasur parasysh se jemi të hapur edhe për partitë tjera”, ka shtuar ai.

Sipas tij, bashkëpunimi me partitë politike nuk është i lehtë, por “se kur jemi të sinqertë, besojmë në idetë tona dhe e dimë se çfarë duam, bëhet më e lehtë kjo punë”.

Ai ka thënë se e respekton deklaratën e të parit të Nisma për Kosovën, i cili ka theksuar se Haradinaj e meriton që të udhëheqë me ekzekutivin kosovar, por se ata mbesin të hapur edhe për opsione të tjera.

“Jemi të hapur për çdo variant. Nuk është diçka e mbyllur. Ekziston mundësia që të jetë ashtu, por jemi të hapur që të vendosim edhe ndryshe”, ka theksuar Haradinaj.

Shefi i AAK-së, ka thënë se porosia dhe urimi i tij për Vitin e Ri, është që populli i Kosovës të besojë në vete.
“Ne kemi pasur kohëra të vështira dhe të rënda, por kemi besuar në të drejtën tonë dhe jemi angazhuar dhe kemi dalë triumfues. Nëse nuk besojmë në vetën tonë dhe nuk angazhohemi duke qenë të bindur në qëllimet tona, atëherë as të huajt nuk do të na respektojnë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, kjo logjikë aktuale po e fundos vendin, “duhet kthyer besimin në vete”.

“Kur kemi besuar në atë që kemi pasur të drejtë, njëherë kemi marrë kritika, pastaj shqyrtim e dikur erdhi përkrahja. Kosova duhet të mbetet e bindur në të drejtën e vet, pastaj me angazhim serioz do të vijë përkrahja./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori