Grevistët e Fabrikës së Tubave të Ferizajit, të cilët dje u larguan nga Policia e Kosovës nga tenda ku qëndruan për plot 643 ditë, sot në orët e para të mbrëmjes janë larguar dhunshëm edhe nga Stacioni i Policisë Qendra, ku ishin vendosur në shenjë revolte ndaj veprimeve të Policisë, pas aksionit të Policisë për të hequr tendat e opozitës.
Avokati që mbron të drejtat e grevistëve, Ali Latifi, për KosovaPress konfirmoi se grevistët janë hequr me dhunë nga Policia e Kosovës dhe tani janë në oborrin e Policisë në ambient të hapur.
Latifi tha se grevistët janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, pasi sipas tij, kjo është e drejtë e tyre ligjore.
Më herët, Latifi kishte thënë se Policia nuk ka dhënë asnjë udhër-dokument mbi arsyen e heqjes së tendës së tyre në sheshin “Skënderbeu” dhe sipas tij, me këtë veprim, Policia ka shkelur të drejtën e tyre për të protestuar që parashihet me Ligjin për Grevat, i aprovuar në Kuvendin e Kosovës.