Gottfried Wilhelm Leibniz: Korrespondencë mbi gjuhën shqipe

Filozofi dhe matematikani gjerman, Gottfried Wilhelm Leibniz (1646–1716), ishte një figurë madhore e mendimit perëndimor. Lindi në Lajpcig, shërbeu si diplomat dhe jetoi për një pjesë të madhe të jetës në Paris. Më vonë shërbeu pranë Dukës së Brunsvikut në Hanover dhe u bë presidenti i parë i Akademisë Prusiane të Shkencave. Veprat e tij të gjera mbi filozofinë, matematikën, shkencën, historinë dhe jurisprudencën u shkruan në frëngjisht dhe latinisht. Leibniz ishte një njeri me interesa të shumta dhe madje u mor edhe me gjuhën shqipe, e cila në atë kohë ishte shumë pak e njohur. Më poshtë janë disa pjesë të shkëputura nga korrespondenca e tij.
Nga: Gottfried Wilhelm Leibniz[1]
Përktheu në anglisht (nga frëngjishtja): Robert Elsie
Përkthimi në shqip (nga anglishtja): Agron Shala / Telegrafi.com
I. Mbi një ilaç, II. Mbi vdekjen e Kontit të Shverinit, III. Gjuha shqiptaro-ilire, IV. Kinezishtja, V. Mbi Uellsin etj., VI. Mbi alfabetin e vjetër spanjoll.
I. Do të doja t’ju falënderoj që më informuat mbi ilaçin e Prorit të Kabrijerit. Ilaçe të tilla të provuara duhet të publikohen me detaje të përvojës me to. Ju përmendët disa të tjera.
II. Më trishton vdekja e Kontit të Shverinit. Ai ishte një njeri me dije dhe kureshtje, dhe ndihmonte në promovimin e studimeve dhe dijes. Disi dyshoj se z. Brand do t’i jepet tani pozicioni i drejtorit të Bibliotekës Mbretërore.
III. Nuk kam dyshim, Zotëri, se meritat tuaja do të vlerësohen gjithnjë e më shumë, pasi vërej që ata me pushtet janë të bindur për to. Po ashtu, shoh se jam in aere tuo pasi ju kam borxh [lutjen] Ati ynë në [gjuhën] hotentot. Ende nuk e kam gjetur, por jam i sigurt se e kam diku, ndaj do ta merrni një ditë, pa dyshim. Sa i përket gjuhës së shqiptarëve, kam përshtypjen se mund të jetë një lloj sllavishteje, pasi kjo gjuhë flitet përgjatë detit Adriatik. Ajo zakonisht njihet si Linguam Illyricam, por unë besoj se gjuha e ilirëve të lashtë ishte diçka krejt tjetër. Nëse do të kishte ndonjë mbetje të saj në malësitë e Epirit, kjo do të ishte padyshim shumë e pazakontë dhe mjaft e denjë për t’u hulumtuar. Kam menduar për këtë më shumë se një herë, por nuk më ra ndër mend kur isha në Romë, ku njihja z. Pastritio (nëse nuk gaboj), profesor në Kolegjin della propaganda (për Propagandimin e Fesë), i cili ishte vetë nga Dalmacia. Nuk e di nëse është ende gjallë. Kjo mund të mësohet në Raguzë (Dubrovnik) ose madje në Venedik, pasi territoret e Republikës janë shumë pranë Shqipërisë.
IV. Nëse do të më lejohet, Zotëri, do të doja t’ju inkurajoja të mësoni gjuhën kineze. Besoj, ashtu si ju, se i ndjeri z. Muller, një njeri me dije, ka parë diçka interesante në të. Shpresoj që do të marrim një kopje të Fjalorit Tartar-Kinez të cilën Perandori i Kinës po përgatit, dhe u kam shkruar jezuitëve duke u thënë se do të ishte mirë që të kishte ndonjë shpjegues në një gjuhë evropiane. Át Grimaldi nuk besonte se kishte një çelës për simbolet kineze. Por, duhet të ketë një arsye pse janë krijuar ashtu, edhe pse kalimi i kohës mund t’i ketë bërë të vështira për t’u deshifruar dhe të ketë sjellë parregullsi në to.
V. Kam marrë dy fjalorë të gjuhës së Uellsit. I pari nga Davies u botua në Londër më 1632 in fol. dhe më është dërguar me një gramatikë të botuar in 12 më 1621. Fjalori i dytë uellsian është nga Thom. Jones, botuar in 12 më 1688. Ai përkthen nga gjuha uellsiane në anglisht, por jo anasjelltas. Ndërsa Davies jep gjuhën uellsiane në latinisht dhe nga latinishtja në gjuhën uellsiane. Ende jam i bindur se të paktën gjysma e gjuhës uellsiane ka lidhje me gjermanishten, dhe se ajo është në njëfarë mënyre si greqishtja ndaj latinishtes. Gjermanishtja e vjetër përmbante mjaft fjalë që sot nuk i kuptojmë. Më duket se britanikët e lashtë kanë ardhur nga Gjermania, dhe se galët etj. kanë diçka nga gjuha e kimbrianëve dhe gjermanëve të lashtë, nga të cilët ka mbetur shumë pak, dhe se irlandezët janë pasqyrë e një migrimi më të hershëm të britanikëve të vjetër, të cilët gjithashtu kaluan detin. Kështu, irlandishtja është një formë edhe më e vjetër e keltishtes. Ka njerëz në Angli që po punojnë aktualisht për të shpjeguar gjuhën irlandeze dhe do të isha shumë kureshtar të di se çfarë do të nxjerrin. Davies citon një Dictionarium Britannico-Aremoricum, botuar në Paris me impensis Yvonis Quillevere, më 1521. Por, mjaft me këtë.
VI. I kërkova z. Cuper përshkrimin kinez, por ende nuk e kam marrë. Ai më foli për një holandez që kishte kaluar shumë kohë në Spanjë dhe shpresonte të mund të deshifronte alfabetin e lashtë spanjoll.
(Hanover, 24 qershor 1705)
I. Mbi gjuhën shqipe, II. Mbi gjuhët armene, koptike dhe gjeorgjiane etj., III. Mbi gjuhët e vendeve nën sundimin e Carit.
I. Meqë z. Hubener po kalon këtej, në kthimin e tij nga Holanda, i kërkova të sigurojë një dorëshkrim në Bibliotekën Mbretërore, të cilin po ua dërgoj përsëri me falënderime, dhe kam nderin t’ju shkruaj njëkohësisht. U gëzova shumë kur dëgjova që keni marrë një libër dhe një Fjalor të Gjuhës Shqipe. Nga ky fjalor shohim se si mund të ketë qenë gjuha e ilirëve të lashtë. Megjithatë, vërej se ka shumë fjalë latine në të. Attiyne për “Ati ynë” përputhet me gjuhët skite. Gjithashtu, duket se ka gjurmë të vogla fjalësh që i ngjajnë gjermanishtes, si seet për “tokë”, Enandeyenée për “të falësh”, dhe ndetekech për “në tundim”.
II. Do të bëheni së shpejti universal në linguistikë, Zotëri, pasi po zgjeroni njohuritë tuaja edhe mbi armenishten, e cila është mjaft e ndryshme nga gjuhët e tjera. E dini se i ndjeri z. Acoluthus mendonte se kishte gjetur një lidhje midis armenishtes dhe koptishtes, por besoj se kishte gabuar, dhe të paktën nuk më dha ndonjë provë bindëse kur më foli në Berlin. Ju tani do të mund të bëni një vlerësim më të mirë. Gjuha gjeorgjiane më është dukur më e pazakontë se armenishtja për shkak të shumësisë së mënyrave foljore që ka. Shpjegimi juaj për medaljet armene do të jetë i përshtatshëm si pjesë e Miscellanea-s sonë.
III. Këtu ndodhet një zotëri nga Moska, një i dërguar i Carit, i cili ndoshta do të qëndrojë për disa javë. E quan veten princ apo knjaz dhe është nga familja e vjetër Kurakin. Do të përpiqem ta bind të shkruajë në Kancelarinë e Moskës për të na siguruar mostra të gjuhëve të vendeve nën sundimin e Carit dhe të vendeve fqinje. Dhe, nëse keni ndonjë kërkesë, ju lutem më njoftoni sa më shpejt. Duke qenë vendas, ai mund të shkruajë më lehtë sesa të huajt që janë në shërbim të Carit, të cilëve u kam shkruar dhe folur, por pa sukses. Për të tjerat, mbetem i juaji etj.
(Hanover, 10 dhjetor 1709)
I. Mbi gjuhën shqipe, II. Gjuha gjeorgjiane, III. Vepra e Nestorit të Kievit, IV. Pagëzimi i dytë i latinëve ndër rusë etj., V. Origjina e fjalës Kozak.
I. Do të ishte ide e mirë që në shqip të bëhej dallimi midis atyre që janë fjalë amtare dhe atyre që janë të huazuara. Askush nuk mund ta bëjë më mirë këtë se ju, Zotëri. Megjithatë, do të doja t’ju jap mendimin tim për disa fjalë të kësaj gjuhe. Hunde pro naso, an dicemus antiquum Celticum esse? (hunde për “hundë” - a mund të themi se kjo është keltishte e lashtë?) dhe fjala gjermane “Hund” (qen) mund të ketë marrë emrin nga hunda, për shkak të aftësisë për të nuhatur, ashtu si Truye “troia” (dosa e egër) vjen ndryshe nga trogue apo truyn, që do të thotë “hundë” në galishten e lashtë dhe te galët modernë gjithashtu. “Hunting” [gjuetia] në anglisht ka një kuptim, por “hint” është një gjurmë apo tregues, që gjermanët modernë do ta quanin Spuhr. Pra, është e mundur që të gjitha këto rrjedhin nga rrënja Kunde “knowledge” [njohje], nga e cila vjen connoître (të dish) në frëngjisht dhe gnóoskein në greqisht (të njohësh). Do të arrija në përfundime të ngjashme me craha (krahu) në shqip, sepse Krebs apo crabbe (gaforre) është një kafshë me krahë, dhe Krallen (kthetra), krazzen “me gërvisht”, kriechen “me u zvarrit”, Kröte “bufo” (zhabë) duket se lidhen gjithashtu me këtë. Shkronja “k” në rrënjë shpesh shënon përkulje, ndërsa “r” një lëvizje, dhe krahët shpesh përshkruhen me kombinimin “cr”. Massa më duket se do të thotë “mish” në sllavisht. Kjo është bërë mix në shqip dhe mis në armenisht, që të dyja me kuptimin “mish”. Burri “maritus” (bashkëshort) mund të ketë lidhje me Braut (nuse), Bräutigam (dhëndër), Freia është perëndesha gjermane e dashurisë. Sa i përket gaforres, gaforreia në shqip, dyshoj se mund të ketë lidhje me Gafel, pra furca “pirun”. Çizmet që hungarezët i veshin zakonisht quhen citmes në Vjenë, me shqiptimin italian, pra tschismes. Duhet parë gjithashtu nëse ocrea nuk është e njëjta gjë me tschisme në hungarisht ose ndonjë vend fqinj, siç është në shqip. Fjalët shqipe për numrat nuk kanë asgjë që të mund të jetë huazuar nga gjuhët fqinje, por, meqë ju njihni të gjitha këto gjuhë, do të mund të kuptoni pse shqiptarët e quajnë kaun chau, dhe detin deet, “mulier” (grua) crue dhe “mirë” emir. Ndoshta deet vjen nga delt, pra thalassa etj.
(Hanover, 26 dhjetor 1709)
II. Me këtë rast, do t’ju lutesha, Zotëri, të më dërgoni lutjen Ati ynë në gjuhën epirote (shqipe) në një version interlinear dhe do t’ju isha shumë mirënjohës nëse do të mund të shtonit edhe Besoj nëse është e mundur. Ju lutem gjithashtu të më dërgoni titujt e dy librave në këtë idiomë, përmasat dhe datën e vendin e botimit, sepse kjo gjuhë, që është pak e njohur, është e denjë për t’u studiuar. Do të përpiqem t’i gjej këta libra në Romë. Me ta janë zhgroposur monumentet e lashta nga themelet e Notre-Damit në Paris.
(Hanover, 28 dhjetor 1711)
... Alfabetet moderne evropiane rrjedhin nga latinishtja, përjashtuar dy alfabetet sllave: cirilik dhe të ashtuquajturin glagolitik. Disa autorë më vonë ua atribuojnë këto Shën Jeronimit, i cili ishte me origjinë ilire, por kjo është e rreme, sikur gjuha e lashtë ilire të ishte një lloj sllavishteje. Por, sllavët mbërritën vonë në Iliri, jo para epokës së Justinianit. Ilirët e lashtë ishin me origjinë kelte. Ata përdornin një gjuhë të afërt me gjermanishten dhe galishten. Është e qartë se mbetje të saj ruhen në gjuhën moderne, sidomos në atë të epirotëve, për të cilën kam parë mostra të botuara. Sot zakonisht e quajnë sllavishten “ilirike” sepse sllavët u vendosën në Iliri ...
(Vjenë, 13 janar 1714)
II. Një ditë në Berlin më dhatë një libër në gjuhën e epirotëve, i shtypur në Romë nga Propaganda Fide. Besoj se përmbante lutjen Ati ynë në atë gjuhë dhe e nxora. Por, nuk e gjej dot lehtësisht mes letrave të mia. A do të kishit mundësi, Zotëri, të ma dërgonit edhe një herë?
(Hanover, 24 mars 1715)
/Telegrafi/
_______________
[1] Gottfried Wilhelm Leibniz, Opera Philologica (Hildesheim: Georg Olms, 1989). Përkthyer nga frëngjishtja nga Robert Elsie.


















































