Gjykata Supreme ende nuk ka marr ndonjë vendim për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me numërimin e 1806 fletëvotimeve të diasporës.
Vullnet Sokolli nga Gjykata Supreme në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë që nga momenti i dorëzimit të ankesës janë 72 orë afat ku kolegji mund të marr vendim.
“Ende nuk ka ardhur ndonjë vendim. Në momentin që të merret vendimi informohen palët më së pari pastaj të tjerët. Që nga dorëzimi i ankesës, janë 72 orë afat që kolegji ta marr një vendim”, ka thënë ai.
Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje dje në orën 11:00 ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për numërimin e këtyre fletëvotimeve.
Për këto 1806 fletëvotime, Vetëvendosje ishte ankuar edhe në PZAP, mirëpo kjo e fundit ka refuzuar ankesën e LVV-së për numërimin e këtyre fletëvotimeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket mos-numërimit të këtyre votave që kishin ardhur nga diaspora, ishte bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme.
“Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, kishte deklaruar ky institucion./Telegrafi/