Ministria e Brendshme e Gjermanisë po i ekzaminon të gjithë komponentet kineze të cilat veçse janë instaluar në rrjetin 5G të vendit, citohet të ketë thënë gjatë ditës ministrja Nancy Faeser, teksa Berlini rivlerëson marrëdhënien e tyre me partnerin kryesor të tregtisë, Kinën.
“Ne duhet që t’i mbrojmë rrjetet tona të komunikimit”, deklaroi Faeser për gazetën “Bild am Sonntag”, duke shtuar se tre prioritetet e ekzaminit janë identifikimi i rreziqeve, shmangja e rreziqeve, dhe shmangja e varësive.
“Ky është një rrezik veçanërisht i madh për infrastrukturën tonë kritike”, shtoi ajo, transmeton Telegrafi.
Gjermania ka konsideruar ndalimin e disa kompetenteve të caktuara nga kompanitë kineze Huawei dhe ZTE në rrjetet e saj të telekomit, tha për Reuters një burim qeveritar, në një lëvizje potencialisht të rëndësishme për të adresuar shqetësimet e sigurisë.
Qeveria gjermane ka qenë e kujdesshme për të veçuar shprehimisht Huawei, por ka shqetësime se lidhjet e ngushta të kompanive të tilla me shërbimet e sigurisë së Pekinit nënkuptojnë se futja e tyre në rrjetet mobile të së ardhmes, në fakt mund t’u japë qasje spiunëve kinezë, dhe madje edhe sabotatorëve në infrastrukturën thelbësore. /Telegrafi/