Richard Gere ka pohuar se është njeriu më i lumtur në univers pas martesës me partneren e tij, Alejandra Silva.
Gruaja e aktorit është 35 vjeçare, ndërsa ylli hollivudian është 68 vjeçar. Ata u martuan në një ceremoni në rançin e Gere në New York.
“Ndihem sikur jam në një përrallë reale. Padyshim, më duket se jam femra më e lumtur në botë”, ka thënë Alejandra për Hello!.
“Unë jam njeriu më i lumtur në univers. Si të mos jem? Jam martuar me një femër të bukur, e cila është e mençur, e ndjeshme, e përkushtuar t’u ndihmojë njerëzve, është argëtuese, ka durim, që di të falë, është gatuese e shkëlqyer dhe i bën sallatat më të mira në botë”.
“Alejandra mediton, është vegjetariane, një nënë e shkëlqyer, ka prekjen e një engjëlli… dhe është spanjolle: Vendi i mbretërve dhe mbretëreshave, i Cervantes dhe Bunuel… Nuk ka më mirë se kaq”, ka thënë Gere.
Çifti është në lidhje që nga viti 2014, ndërsa ishin takuar, kur Richard kishte qëndruar në një hotel që është në pronësinë e familjes së Alejandras.
Thashethemet për martesën e tyre kishin nisur që nga dhjetori i vitit të kaluar, mirëpo asokohe Silva i kishte përgënjeshtruar spekulimet.
Kjo është martesa e tretë e aktorit, i cili ka qenë i martuar për katër vite me Cindy Crawford dhe 14 vite me Carey Lowell.
Alejandra ka qenë e martuar me Govind Friedland, me të cilin ka një djalë. /Telegrafi/