Një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur rreth orës 11:30 të së premtes në një argjendari në Shkodër, ku një person i paidentifikuar i cili po lëvizte me motor, ndaloi para saj dhe u fut brenda pa hequr skafandrën nga koka.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Vasil Shanto”, ku pronari i dyqanit i kërkoi menjëherë personit të panjohur të hiqte skafandrën ndërsa ky i fundit refuzoi dhe u largua me vrap, duke lënë motorin jashtë argjendarisë, raporton euronews.al.


Kur pronari doli për ta ndjekur, dyshohet se jashtë argjendarisë personi i drejtoi një armë zjarri, duke i kërkuar të mos e ndiqte.

Paraprakisht dyshohet për një tentativë grabitje në argjendari ndërsa policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe po kryen kontrolle në zonë për kapjen e autorit.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e personit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.