Fjalët e para të Rashfordit si lojtar i Barcelonës - zbulon njeriun që e bindi të kalonte në Camp Nou

Marcus Rashford ka shpërthyer në emocione pas transferimit të tij te Barcelona në formë huazimi nga Manchester United.
Në deklaratën e tij të parë si lojtar i Barcelonës, Rashford u shpreh: “Barcelona është një klub ku ëndrrat e njerëzve bëhen realitet", deklaroi fillimisht anglezi.
Ajo që ky klub përfaqëson ka shumë rëndësi për mua dhe ndihem sikur jam në shtëpi – kjo ishte një faktor i madh në vendimin tim. Ndihem sikur po bashkohem me një familje”.
“Nëse jam te Barça, kjo është edhe për shkak të Hansi Flick. Bisedat që pata me të ishin shumë pozitive. Ai ka dëshmuar se është një nga trajnerët më të mirë".
"Ai udhëhoqi një ekip të ri drejt një sezoni kaq të suksesshëm, është rikthyer në parasezon duke dëshiruar edhe më shumë”, ka shtuar më tej Rashford.
Ky transferim vjen pas një kontrolli mjekësor të kryer më 21 korrik dhe pas një periudhe të vështirë për Rashfordin te United, ku ai humbi fanellën ikonike me numrin 9 dhe kaloi përkohësisht te Aston Villa në formë huazimi.
27-vjeçari, i cili ka zhvilluar 409 ndeshje dhe ka shënuar 130 gola me fanellën e Manchester United, shpreson të rilindë karrierën e tij në “Camp Nou”.
Barcelona, e cila po përballet me sfida të mëdha financiare dhe një borxh të vlerësuar rreth 1.4 miliardë dollarë, do të mbulojë të gjithë pagën e Rashford gjatë periudhës së huazimit.
Marrëveshja përfshin një opsion blerjeje në fund të sezonit, nëse palët vendosin ta bëjnë transferimin të përhershëm.
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të përziera: një pjesë e tifozëve e mirëpresin energjinë dhe përvojën e Rashford, ndërsa të tjerë shprehen skeptikë, duke e konsideruar si një përforcim të mundshëm për stolin e skuadrës.
A do të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri dhe të suksesshëm për Marcus Rashford te Blaugrana? Mbetet për t’u parë – por emocionet janë të larta. /Telegrafi/

















































