Instituti GAP ka publikuar raportin përfundimtar mbi përmbushjen e premtimeve të kryetarëve të komunave për mandatin 2021–2025, përmes platformës elektronike “Letërnjoftimi i Komunave”.

Sipas të dhënave të mbledhura, 27 kryetarë të komunave në Kosovë kanë dhënë gjithsej 1,815 premtime gjatë këtij mandati.


Nga to, 918 janë përmbushur plotësisht, 234 janë gjysmë të përmbushura, 281 janë në proces të zbatimit, ndërsa 382 nuk kanë filluar ende së zbatuari.

Ashtu si në mandatin e kaluar (2017–2021), edhe në mandatin aktual përqindja e përmbushjes mbetet e njëjtë, 51 për qind.

Analiza e të dhënave sipas fushave tregon se më së shumti janë përmbushur premtimet në sektorin e shëndetësisë (66 për qind), arsimit (63 për qind), administratës (58 për qind) dhe sektorit social (55 për qind). Ndërkohë, përmbushja ka qenë më e ulët në fushat e urbanizmit (34 për qind), infrastrukturës (37 për qind) dhe shërbimeve publike (41 për qind).

Ky mandat gjithashtu karakterizohet me numrin më të madh të premtimeve të dhëna ndonjëherë në kuadër të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Instituti GAP njofton se përmes projektit “Letërnjoftimi i Komunave” do të vazhdojë monitorimin e përmbushjes së premtimeve edhe gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës 2025–2029.

Për më shumë detaje, qytetarët dhe palët e interesuara mund të vizitojnë platformën elektronike të Institutit GAP. /Telegrafi/