Site icon Telegrafi

Festa shumë, punë pak për punëtorët e sektorit publik

Një punëtor brenda vitit në sektorin publik pushon mbi 30 ditë, së bashku me pushimin vjetor si dhe me ditët e pushimit që janë në festa zyrtare në Kosovë.

Kështu numri i festave zyrtare në vendin tonë, të cilat janë edhe ditë pushimi, po konsiderohen të shumta nga përfaqësuesit e bizneseve dhe ata që merren me të drejtat e punëtorëve, shkruan Telegrafi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se Ligji për Festat Zyrtare duhet të ndryshoj sa më shpejt që është i mundur.

Sipas tij, nuk ka kuptim që brenda vitit të humben shumë ditë pune vetëm pse një festë qëllon në fundjavë.

Lexo po ashtu Ligji për Festat Zyrtare, Rukiqi: Nuk ka kuptim që brenda vitit të humben shumë ditë pune vetëm pse një festë qëllon në fundjavë

“Uroj që ‘vikendi’ i porsapërfunduar të jetë alarmi i fundit për çoroditjen që e kemi në kalendarin e festave zyrtare. Ligji për Festat zyrtare duhet të ndryshoj sa më shpejt që është i mundur. Nuk ka kuptim që brenda vitit të humben mbi 10 ditë pune, vetëm pse një festë zyrtare, qëllon të jetë në fundjavë”, ka reaguar Rukiqi në profilin e tij në Facebook.

Po ashtu, sipas Odës së Afarizmit të Kosovës, praktika e deritanishme për pushimet po e dëmton zhvillimin ekonomik.

“Praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit ‘kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës’, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër”, thuhet në reagimin e OAK-ut, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Oda e Afarizmit: Praktika e deritanishme për pushimet po e dëmton zhvillimin ekonomik

Ndërkaq sipas kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini punëtorët duhet të paguhen më shumë kur punojnë në ditë feste.

Ajdini shton se Qeveria e Kosovës duhet të merr vendim që t’i reduktoj festat zyrtare.

“Festat duhet të respektohen deri sa të merret një vendim tjetër, mirëpo individ të papërgjegjshëm për arsye të përfitimeve të veta nuk e njohin shtetin nëse preken në xhep. Sipas Ligjit, punëtori duhet të paguhet më tepër, prej 30 për qind të asaj të 20 përqindëshit, nëse punëtorin festa e nxënë në vend të punës, pra këtu shkelen të drejtat e punëtorit. Qeveria e Kosovës duhet ta merr një vendim që t’i studioj mirë dhe ta merr një masë që të bëhen reduktimet”, tha për Telegrafin i pari i sindikalistëve.

Në muajin gusht të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës e drejtuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte marr vendim që ditët e festave zyrtare kur bien të shtunën ose të dielën, nuk do të pushohet më të hënën.

Lexo po ashtu Vendos Qeveria, nuk ka pushim të hënave kur festa zyrtare bie në fundjavë

“Qeveria e konsideron të nevojshme që ky Projektligj [për Festat Zyrtare] duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: ‘kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës'”, thuhej në vendim.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj janë Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike, si dhe Pashkët Ortodokse.

Përveç këtyre festave, në Kosovë sipas Ligjit janë të përcaktuara edhe tetë ditë tjera memoriale.

Data 28 Nëntor shënohet si Dita e Flamurit të shqiptarëve dhe 12 Qershori – Dita e Paqes, e që për të dy ditët pushohet. Kurse gjashtë festat tjera memoriale i përkasin ditës së komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version