Zjarr i madh në lindje të Kretës në Greqi ka detyruar evakuimin e mijëra njerëzve dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi dhe objekte afariste, ndërsa erërat e forta vazhdojnë të vështirësojnë përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë zjarrin nën kontroll.

Zjarri, që shpërtheu të mërkurën pasdite pranë fshatit Achlia, u përhap shpejt nëpër terrene pyjore dhe malore për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.


Sipas të dhënave të shërbimit grek të zjarrfikësve, zjarri tani është përhapur në tre fronte aktive – në Achlia, Ferma dhe Skinokapsali.

Zjarrfikësit thonë se kushtet në terren krijojnë vatra të reja, gjë që e bën jashtëzakonisht të vështirë kontrollin e zjarrit. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin masiv të hoteleve, dhomave me qira dhe shtëpive në komunën e Fermës. Operacionin po e kryejnë zjarrfikësit, policia dhe vullnetarët lokalë.

Manolis Tzarakis, kryetar i Shoqatës së hotelierëve të Ierapetrit dhe juglindjes së Kretës, tha të enjten për një radio lokale se janë evakuuar rreth 5000 njerëz, kryesisht turistë të huaj që qëndronin në hotelet lokale. Të paktën 200 persona të evakuuar aktualisht ndodhen në një palestër sportive në Ierapetri.

Që nga e enjtja në mëngjes, në shuarjen e zjarrit janë përfshirë gjithsej 230 zjarrfikës, me mbështetjen e 13 ekipeve të specializuara këmbësore, 46 automjeteve zjarrfikëse dhe një njësie për mbikëqyrje me dronë. Për shuarjen nga ajri janë angazhuar 10 helikopterë, prej të cilëve njëri koordinon operacionet ajrore.

Autoritetet bëjnë me dije se dëmet janë të mëdha – janë shkatërruar shtëpi, sera, vila, hotele dhe objekte afariste si në zonat bregdetare ashtu edhe në ato të brendshme.

Në fshatin Agia Fotia janë shkatërruar shtëpi dhe objekte me qira, dhe sipas raporteve lokale zona është pa energji elektrike. Të paktën katër persona të moshuar janë dërguar në spital për probleme respiratore të shkaktuara nga thithja e tymit.

Rruga kryesore pranë Agia Fotias është mbyllur për qarkullim, ndërsa policia ka bërë thirrje për qytetarët dhe vizitorët që të shmangin udhëtimet e panevojshme për shkak të cilësisë së rrezikshme të ajrit, nxehtësisë ekstreme dhe hirit që bie nga qielli.

Autoritetet shëndetësore, për shkak të kujdesit, kanë vënë të gjitha spitalet në Kretë në gatishmëri.

Gjatë gjithë ditës së mërkurë janë dërguar paralajmërime urgjente përmes sistemit publik të njoftimeve 112, duke urdhëruar evakuimin nga vendbanimet Achlia, Ferma, Agia Fotia, Galini dhe më pas Koutsounari, duke i udhëzuar banorët dhe turistët të drejtohen drejt Ierapetrisë.

Disa persona që ishin bllokuar në tokë raportohet se janë evakuuar me anije nga plazhet lokale.

Në fillim të kësaj jave në Turqi janë evakuuar mbi 50 mijë njerëz për shkak të zjarreve në provincën perëndimore të Izmirit.

Të paktën gjashtë persona në Evropë kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta, ndërsa kontinenti po përballet me një valë të hershme të nxehtësisë verore. Rastet e fundit të vdekjes janë regjistruar në Spanjë dhe Itali, ndërsa ka pasur viktima edhe në Francë. /Telegrafi/