Site icon Telegrafi

Fermeri shqiptar synon rekordin Guinness me vargun më të gjatë të qepëve

Kujtim Plangaj, fermer nga fshati Postribë i Shkodrës, është një kultivues me përvojë i qepës autoktone shqiptare, një traditë që ai e ka mbajtur gjallë për më shumë se 30 vite.

Plangaj synon të shënojë emrin e tij në librin Guinness duke krijuar vargun më të gjatë të qepës në botë, me një gjatësi të barabartë me Urën e Mesit në Shkodër, rreth 110 metra.

Fermeri thotë se kjo qepë, e njohur si qepa e Drishtit, ka mbi 300 vite histori dhe është kultivuar brez pas brezi me të njëjtën farë që prej kohës së Perandorisë Osmane.

Në tokën e tij prej gjashtë dynymësh, katër prej të cilëve janë të dedikuar për qepën, Plangaj arrin të prodhojë 20-25 ton qepë çdo vit.

Për realizimin e këtij rekordi, ai vlerëson se i duhen rreth 1.5 ton qepë dhe ndihma e 2-3 punëtorëve për një periudhë prej pesë ditësh.

Megjithatë, për të arritur këtë objektiv, ai kërkon mbështetje financiare dhe leje nga Bashkia Shkodër.

“Dua të realizoj këtë varg në respekt të Urës së Mesit, një monument i trashëgimisë kulturore mbi 300-vjeçare, dhe ta bëj të njohur këtë traditë unike të qepës shqiptare,” tha Plangaj, duke theksuar se kjo ide është krejtësisht origjinale.

Nëse mbështetet, kjo iniciativë jo vetëm që mund të vendosë një rekord botëror, por edhe të promovojë një nga produktet autoktone më të veçanta të Shqipërisë./Top Channel

Exit mobile version