Derisa progresi i nisur ka shënuar arritje të larta deri më sot, krahasuar me situatën e para disa decenieve, në kohën e rezistencës femra kosovare është dalluar për kontributin dhe sakrificën, qoftë në aktivitete politike e shoqërore, qoftë në luftë. Sot kemi një situatë kur ende dëgjohen zëra që theksojnë se, me gjithë ligjet dhe deklarimet politike për barazi, femra në Kosovë nuk është e barabartë me mashkullin, shkruan Koha Ditore.

Raportet e shpeshta për dhunën në familje tregojnë se ende ka segmente të shoqërisë në Kosovë që femrën e shohin vetëm si qenie që duhet t’i nënshtrohet burrit dhe detyrave si nënë dhe shtëpiake, ndërsa ekstremistët fetarë kërkojnë kthimin e femrës në mbulesë.


Sociologët kanë dilema sa i përket përfaqësimit të gruas në shoqërinë kosovare. Sipas tyre, nëse përfaqësimi I gruas në politikë bëhet vetëm sa për t’i dhënë sharmë demokracisë, atëherë ky përfaqësim politik dhe pushteti që zotërohet nga to, konsiderohen vetëm si dekor dhe asgjë më shumë.

Përkundër përfshirjes së perspektivës gjinore në infrastrukturën ligjore, prapëseprapë traditat dhe zakonet janë më të fuqishme sesa ligji.

'Ky është mentalitet kanunor. Ka shumë gra në Kosovë që nuk e dinë se ligjërisht mund të kenë pronën që u takon. Ose për shkak të mentalitetit gratë në Kosovë, heqin dorë për të mos humbur ‘opçinën’, siç ne e quajmë”, ka thënë sociologia Sibel Halimi.

Megjithatë, numri i të punësuarave femra në institucionet publike apo private në Kosovë ende nuk është në proporcion me përqindjen gjinore të popullsisë.

Ligjëruesi i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shemsi Krasniqi, thotë se në krahasim me të kaluarën, sot femra kosovare është në pozitë më të volitshme. Por, për të qenë në pozitë me burrin, kjo akoma do punë.

“Koha jonë ka ofruar disa lehtësime (shkollimi, lëvizja e lirë, punësimi, teknologjia, infrastruktura fizike, ligjore etj.), por njëkohësisht ofron edhe disfavore, sfida dhe rreziqe të reja (rrjetet kriminale, konkurrenca dhe garat e ashpra për treg e për pushtet, strese e trauma, diskriminime sociale, mentalitetet anakronike dhe aspektet e tjera problematike), të cilat e vështirësojnë pozitën e gruas. Prandaj, nevojiten përpjekje shtesë të shoqërisë për të përmirësuar pozitën e femrës”, ka thënë Krasniqi. /Koha Ditore/