LAJMI I FUNDIT:

Fadilja – fanari i RTK-së!

Fadilja – fanari i RTK-së!

Fadile Kryeziu, duket se ka lindur për folëse dhe prezantuese e lajmeve në RTK. Ajo qysh si gocë e Prizrenit, shquhej për sharmin, talentin, bukurinë, dhe sikur kishte lindur për ekran. Pamja e saj skofiare, e bukur, e ëmbël, dukej si dikush e kishte vërejtur dhe e kishte sjell në RTP, fillimisht si prezantuese e programit, pastaj si folëse e Lajmeve. Fadilja, sot mund të quhet si një fanar që shndrit ekranin e RTK-së.

Intervistoi: Shaqir Foniqi

Fadile, sikurse thamë keni një fytyrë të bukur, sikur të porositur për ekran. Ishte kjo një dhunti e natyrës apo e gjeneve?
Sa i përket bukurisë mendoj se në rini çdo i ri apo e re duket bukur, mirëpo me kalimin e kohës jetëgjatësia e bukurisë varet nga shumë faktorë. Ndër kryesorët është faktori gjenetik i trashëguar nga prindërit, mënyra e te jetuarit pa e cenuar shëndetin me parregullsi, e para se gjithash qetësia shpirtërore, të cilën e kushtëzon jeta e lumtur bashkëshortore.

Sa e çmoni bukurinë tek femrat?
Bukuria vizuale te çdo femër është e pëlqyer, por kjo është vetëm një anë e medaljes. Bukuria e vërtetë te çdo njeri, jo vetëm tek femrat, është ajo shpirtërorja e cila zbulohet me kohë dhe e plotëson vizualen dhe këtu, sipas meje, është dallimi në mes bukurisë së vërtetë dhe asaj që shohim në kornize.


Si iu lindi ideja të bëheni folëse e RTK-së dhe të mbeteni përjetësisht në këtë profesion?
Ideja nuk ka qenë e imja. Aso kohe, isha studente dhe, ta them të drejtën, kurrë se kisha menduar se ky do të jetë profesioni im jetësor, por me insistimin e motrës sime, Shpresa Kaçaniku, një ndër punëtoret e para të RTP-së, në atë kohë montazhere filmike, pranova që të marr pjesë në audicion dhe për fatin tim, lirisht mund të them, të mirë, u pëlqeva nga stafi udhëheqës i asaj kohe i RTP-së, dhe jam këtu ku jam.

A është profesion i vështirë profesioni i folëses, kur dihet se jeni mysafire e shpeshtë dhe e paftuar e shikuesve?
Është profesion me shumë përgjegjësi që kërkon përkushtim të veçantë; koncentrim, paraqitje të mirë vizuale, diksion, qartësi në të folur dhe emocione të kontrolluara që korrespondojnë me natyrën e lajmit. Mund të them pa rezerve se ky profesion aspak nuk është i lehtë për faktin se komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë me miliona shikues, duke mos e mohuar kënaqeshin që ndjen.

Për një folëse, përveç pamjes dhe zërit ka rëndësi edhe veshja. Ku visheni ju, meqë dukeni shumë elegante?
Unë gjatë vitit udhëtoj shumë shpesh me familjen time jashtë vendit. Si çdo femër edhe unë e kam pasion blerjen, shpenzoj shumë për veshjet dhe kryesisht furnizohem me to gjatë këtyre udhëtimeve.

Po me çka ushqeheni kur dihet se vazhdimisht keni një trup të hedhur?
Edhe në disa intervista të tjera e kam cekur se jam adhuruese e madhe e brumërave, por pemët dhe perimet e freskëta, asnjëherë nuk mungojnë në tryezën e përditshme; kuptohet të konsumuara pa tepri.

I keni në qejf edhe shëtitjet jashtë Kosovës. Ku shkoni zakonisht për pushime dhe si kaloni atje?
Pushimet verore kryesisht i kaloj në Turqi dhe në bregdetin shqiptar, por udhëtimi në Shqipëri është kënaqësi e veçantë. Të shpeshta janë udhëtimet në vende të tjera për turizëm edhe vizita familjare.

Duket se edhe lexoni shumë. Cila është literatura jote e preferuar?
Po, lexoj në kohë të lirë veprat e autorëve, si Markezi, Kadareja, Orhan Pamuk, Stendalin, Drajzerin, etj; më tepër jam e lidhur me autor se sa me zhanret letrare. Librat që më pëlqejnë ndodh që pas një kohe përsëri t’i lexoj, si p.sh., kohët e fundit i kam rilexuar ‘‘Tragjedinë Amerikane’’, të Drajzerit,”Jane Eyre” të Charlotte Bronte dhe ‘’Kuq e Zi’’, të Stendalit. Kohë më parë e përfundova “Dhe Malet Oshtinë” të Khaled Hosseinit dhe tani jam duke e lexuar librin “Ahmet Zogu” nga Blendi Fevziu.

Si duhet të duket një folëse e përkryer?
Në botë asgjë nuk është e përkryer në terma absolute, prandaj në këtë aspekt mund të them se duhet bërë maksimumin që të jesh e pëlqyer nga ata, në shtëpitë e të cilëve hyjmë pa leje.

Cila është dita juaj, kur fillon dhe kur mbaron ajo?
Dita ime është një ditë normale si e të gjitha grave, nënave kosovare. Mëngjesin e filloj me kafen e mëngjesit, në shoqëri të dashurit tim, duke shikuar programin e mëngjesit të RTK-së dhe pastaj shfletoj shtypin ditor. Përveç aktiviteteve tjera, një pjesë të ditës ia kushtoj përgatitjes së ushqimit. Kuzhinën e kam pasion dhe kam dëshirë që çdo ditë të përgatis diçka të pëlqyer dhe me shume dashuri për familjen time, dhe pa modesti mund të them, se jam shumë e mirë në këtë drejtim.

A bëni fitnes dhe a i kushtoni kujdes dietës?
Përkundër që shpesh mendoj të filloj me ushtrime, përsëri mbetet ajo thënia: do të filloj nga java e ardhshme. Mirëpo, këtë mangësi mundohem ta kompensoj me shëtitjet në Gërmi.
Nuk mbaj dietë, por kujdesem që ushqimi të jetë i përzgjedhur, i llojllojshëm dhe çdo herë i konsumuar me masë.

Dukeni mjaft elegante (mbretërore), është ky një virtyt i femrës moderne. Si i vlerësoni sot femrat nga pamja e jashtme, apo nga pamja e brendshme (mendore-shpirtërore)?
Dukja elegante e një femre reflekton kulturë dhe shkallën e zhvillimit të shoqërisë. Shoqëria kosovare ka pësuar një emancipim dhe përparim të padiskutueshëm. Gjenerata e femrave të reja kosovare, është një gjeneratë shumë e bukur, e shëndoshë, e emancipuar dhe sot femra jonë nuk dallon nga ajo evropiane. Jemi popull i bukur, pavarësisht nga gjinia, por për fat të keq ende jo i realizuar si popujt tjerë të Evropës.

A ka xhelozi në profesionin tënd dhe, nëse ka, pse?
Nuk e di, por nga përvoja ime, unë mendoj se nuk ka, meqë unë marr dhe jap komplimente. Sipas meje, çdo individ i ka karakteristikat e veta, peshën e vet specifike që e veçon dhe e bënë të jetë e pëlqyer nga një audiencë e caktuar.

Nëse nuk do të bëheshit folëse, çka do të bëheshit?
Profesioni për të cilin kam shumë respekt dhe i cili më ka tërhequr më së shumti, ka qenë mjekësia, meqë edhe vëllanë e madh e kam patur mjek të dalluar, dr. Halil Berisha, ortoped -traumatolog, me veprën e të cilit mburrem për jetë të jetës.

Jeni person publik. Merrni komplimente nga qytetarët?
Komplimentet nuk mungojnë, por ajo që më shkakton kënaqësi më të madhe është respekti dhe dashuria nga ana e shikuesve në takimet me ta. Për mua, ky fakt, është shumë me rëndësi dhe është element inspirues që të vazhdoj. Për profesionin tim, të jesh e pëlqyer nga publiku, është element përcaktues për të vendosur, të mbetesh apo të largohesh nga ekrani. Unë në TV jam prezent që nga viti 1979, dhe më vjen mirë kur pas gjithë kësaj kohe shikuesit dëshirojnë që unë të jem aty.

Me kënd shoqëroheni dhe ku dilni më së shpeshti (pa burrin)?
Familja ime ka anëtarin më të ri të saj, thesarin e çmuar, nipin tim të shtrenjtë Lianin. Buzëqeshja e tij me rinon, më kënaq, me qetëson, më mbush jetë. Prandaj, vizitat dhe takimet janë të rregullta tek nusja ime Saranda dhe engjëlli i nënës Liani, në shtëpi, apo në lokal ku Liani ka komoditet, për një kafe apo mëngjes, çdoherë e shoqëruar me motrën time Shpresën.

Keni dy djem të bukur, mëkat që nuk ka kush t’iu trashëgojë në profesion si folëse?
Kam dy djem të shkëlqyer për të cilët më përgëzojnë të gjithë ata që i njohin, si për sjellje ashtu dhe për arritjet e tyre në fushat përkatëse, mua si prind, më bëhet zemra mal. Taulanti ka magjistruar në Londër, në njërin nga Universitetet më të njohura në botë “London School Of Economics and Political Science” në Politikat Evropiane, ndërsa Lorani është avokat, dhe punon në studion ligjore me bashkëshortin tim Aliun, i cili ka po të njëjtin profesion.

Fare në fund, një porosi për femrat që të duken si Ti?
Unë jam kundër dhënies së këshillave, pasi mendoj se gjenerata e re kosovare është shumë e informuar, ka një kulturë të kujdesit ndaj vetvetes dhe, jam shumë e sigurt se do të kenë një jetëgjatësi të bukurisë që do ta kenë lakmi kushdo që shkel në troje Shqiptare, sepse shqiptarët edhe ashtu, janë të bukur. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Lajme
'Policia' ngjitet në skenë për Noizyn, improvizohet arrestimi i reperit gjatë koncertit të tij në Tiranë

'Policia' ngjitet në skenë për Noizyn, improvizohet arrestimi i reperit gjatë koncertit të tij në Tiranë

Magazina
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin

“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin

Serie A
Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Ndërkombëtare
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Evropa
Kalo në kategori