Në një përpjekje për të lidhur trurin e njeriut me kompjuterët, miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, ka njoftuar se kompania e tij Neuralink ka realizuar me sukses implantin e çipit me valë te një njeri.
Sipas Musk, rezultatet fillestare zbuluan “sinjale premtuese” të neuroneve dhe impulseve nervore, pra pacienti po shërohet.
Madje, bëhet e ditur se edhe një numër i kompanive rivale të Neuralink kanë realizuar implante të ngjashme.
Ndryshe, Neuralink iu dha leja për testimin e çipit te njerëzit në maj, moment ky i cilësuar si historik.
Ky vendim i dha dritën jeshile një studimi gjashtëvjeçar gjatë të cilit është përdorur një robot që në mënyrë kirurgjike t’i vendosë 64 fije, më të holla se flokët e njeriut, në pjesën e trurit “që kontrollon lëvizjet”.
Këto fije lejojnë implantin të regjistrojë dhe transmetojë sinjalet e trurit me valë në një aplikacion.
Me anë të një postimi në X, Musk tha se produkti i parë i Neuralink do të quhet Telepathy, dhe do të mundësojë “kontrollin e telefonit dhe kompjuterit përmes pothuajse çdo pajisjeje, vetëm duke menduar”.
“Përdoruesit fillestar do të jenë ata që kanë humbur funksionimin e gjymtyrëve”, shtoi Musk.
Pajisjet ekzistuese nga kompanitë rivale të Neuralink kanë gjeneruar gjithashtu rezultate.
Blackrock Neurotech në vitin 2004 ka realizuar implantin e parë tru-kompjuter, ndërsa Precision Neuroscience synon të ndihmojë njerëzit me paralizë. /Telegrafi/