LAJMI I FUNDIT:

Ekipi XIIIK fiton në garën e ndërmarrësisë

Ekipi XIIIK fiton në garën e ndërmarrësisë

Për 54 orë 10 ekipe të krijuara aty për aty konkurruan mes vete me idetë e tyre të biznesit. Me prezantim të ideve si zhvillimi i lojërave 3D, uebfaqe për receta ushqimore, aplikacione të ndryshme për platformat e dedikuara për smartphone-at, uebfaqe për gjetjen e mjeshtrave të profileve të ndryshme, dhe uebfaqe të mësimit të gjuhës shqipe online kaloi edhe edicioni i tretë i Prishtina Startup Weekend që u mbajt në ambientet e Innovation Centre Kosovo.

Një lojë në formatin 3D ku pasqyrohet zbavitja e njohur “Janine”, e realizuar nga ideja deri në produktin final brenda vetëm 54 orësh, ia ka sjellë vendin e parë ekipit “XIIIK” në garën e ndërmarrësisë të organizuar nga Startup Weekend Prishtina, që u mbajt fundjavën e kaluar në ambientet e Innovation Centre Kosovo.

Programerët Leart Zogiani dhe Bardh Lohaj – pjesëtarë të ekipi “XIIIK” kanë punuar me përkushtimnë realizimin e lojës 3D gjatë dy ditëve e gjysmë sa ka zgjatur Prishtina Startup Weekend.
“Me thanë të drejtë ende nuk po mundem me i paramendu sakësisht çmimet. Ne veç kemi kërku të bëjmë një biznes ma të sukseshëm, na janë dashtë fonde, na është dashur hapësirë pune, internet ma i shpejtë”, tha Leart Zogianipas pranimit të çmimit të parë.
Suksesi i arritur në Startup Weekend Prishtina sipas Zogianit ekipit “XIIIK”ia hap rrugën edhe drejtë tregjeve ndërkombëtare. “Për momentin kjo është goxha e pabesueshme dhe kjo do të na inkurajojë më shumë”, tha pas shpalljes së fituesve Bardh Lohaj anëtari tjetër i ekipit “XIIIK”. Ekipi fitues do të konkurojë edhe në Global Startup Battle që organizohet nga Global Entrepreneurship Week që është gara më e madhe në botë e ndërmarrësisë ku pritet të marrin pjesë më shumë se 130 qytete në mbi 100 shtete, me afro 1200 ekipe anembanë botës.


Shpërblimet në Startup Weekend Prishtina
Fituesit e edicionit të tretë të Startup Weekend Prishtina nga kompania IPKO kanë përfituar internet në shpejtësi 8 megabajtë falas për 12 muaj, poashtu kanë fituar pjesëmarrje falas në disa konferenca të organizuara nga CEED, marketing online falas për 6 muaj nga Telegrafi.com, si dhe nga IPKO Foundation kanë përfituar 1000 euro për të blerë paisje teknike që iu nevojiten në punën e tyre të përditshme. Ekipi “XIIIK” poashtu e ka fituar mundësinë e prezantimit të produktit të tyre në inkubatorin “Eleven Accelerator” që ndodhet në Sofje të Bulllgarisë”. Maxim Gurvits nga “Eleven Accellerator”, tha se arsyeja se përse i ka përzgjedhur ata është se ekipi ka punuar me përkushtim në realizimin e idesë. “Këta djem nuk dorëzohen, nuk flejnë nuk pushojnë, thjesht duan të fitojnë e ky mentalitet krijon kompani të mëdha”, tha Gurvits pas dhënies së shpërblimeve në Startup Weekend Prishtina.

Vendin e dytë garën e Startup Weekend Prishtina e ka zënë ekipi “Learn Albanian” me konceptimin e një uebfaqeje ku të huajt mund të mësojnë gjuhën shqipe. Ensar Koshi pjestar i këtij ekipi tha se është shumë i kënaqur me rezultatin e arritur. “Ngjarja ka qenë shumë e mirë dhe gjithçka ka shku shumë në rregull dhe ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë shërbimin tonë”, tha Ensar Koshi duke shtuar se do të synojë të marrë përsëri pjesë në Startup Weekend Prishtina.

Kurse fituesi i vendit të tretë është ekipi “Mjestri im” – i cili brenda 54 orësh e ka prezantuar konceptin e një shërbimi online – ku përmes uefaqes www.mjeshtri.im do t’iu mundësohej klientëve të mundshëm të angazhojnë mjeshtër të profileve të ndryshme varësisht prej nevojave që i kanë. “Ky kompeticion ka qenë shumë i qëlluar dhe shumë kompetitiv dhe ishte kënaqësi që mora pjesë në këtë eveniment që mbahet në krejt botën dhe shpesoj që të marrë pjesë përsëri në evenimente të tilla”, tha Oket Hoxha pjesëtar i ekipit “Mjeshtri im”. Ekipet që kanë zënë vendine dytë dhe të tretë poashtu kanë fituar nga IPKO internet në shpejtësi prej 8 megabajtë falas për 12 muaj,pjesëmarrje falas në disa konferenca të organizuara nga CEED, si dhe marketing online falas për 6 muaj nga Telegrafi.com.

Ambasadori norvegjez inkurajoi pjesëmarrësit
Edicionin e tretë të Prishtina Startup Weekend e ka përshëndetur edhe shkëlqesia e tij z.Jan Braathu ambasador i Norvegjisë në Prishtinë. “Kjo është hera e tretë që Startup Weekend po mbahet këtu në Prishtinë dhe nuk do të jetë hera e fundit dhe çdo herë që është mbajtur vendi ka qenë i mbushur me njerëz të rinj si ju këtu, njerëz me ide, kreativitet dhe me dëshirë për të realizuar diçka dhe kjo është esenca e Startup Weekend që të realizoni një ëndërr, një ambicie”, tha shkëlqesia e tij z.Jan Braathu ambasador i Norvegjisë gjatë hapjes së Startup Weekend Prishtina. Ambasadori Braathu poashtu iu tha të pranishmëve se duke marrë pjesë në Startup Weekend Prishtina ata janë pjesë e një ngjarje globale që mbahet në afro 130 vende anëmbanë botës. “Unë ju inkurajoj të mendoni mbi diçka pozitive në Kosovë, të jeni pjesë e diçkaje pozitive në Kosovë, mendoni pozitivisht, veproni pozitivisht dhe ndihmoni që Kosova të bëhet më pozitive, tha ambasadori Jan Braathu.
Edicioni i tretë i Startup Weekend Prishtina (SWP) nisi më 9 nëntor 2012 në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK). Punët vazhduan më 10 nëntor ku gjatë tërë ditës ekipet punuan në zhvillimin e ideve me qëllim të krijimit të një produkti apo shërbimi. Kurse të dielën më 11 nëntor idetë e ekipeve të transformuara në produkte a shërbime janë prezantuar para panelit vlerësues të ekspertëve.

Aktivitet inovativ
Startup Weekend Prishtina si aktivitet inovativ ka për qëllim të promovojë nisjet (startups) e biznesve lokale, ndërmarrësinë, ekspertët e sektorit të teknologjisë informative si dhe në përgjithësi të ndihmojë zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në Kosovë. Startup Weekend Prishtina është një ngarje që i bën bashkë inxhinierët e softuerit, dizajnerët, menaxherët e produkteve si dhe entuziastët e nisjes së biznesit, që sëbashku të shkëmbejnë ide, themelojnë ekipe punuese, krijojnë produkte dhe nisin biznese të reja. Startup Weekend financohet nga The Kauffman Foundation. Athene Prosjektledelse, nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), janë themeluesit e ICK-së, kurse Crimson Capital është partner kryesor bashkëpunues. ICK-ja financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme./Telegrafi/