LAJMI I FUNDIT:

Efektet e taksave për importet nga Serbia

Efektet e taksave për importet nga Serbia
AppleMark

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, vazhdimisht, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës mbrojtjen e produkteve vendore apo krijimin e një konkurrence të barabartë me produktet e importuara nga vendet e rajonit.

Në këtë kuadër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në fund të vitit të kaluar ka vendosur disa taksa për industrinë e miellit dhe tullave ndërtimore, të cilat importohen nga shteti i Serbisë, për shkak se në tregun e Kosovës kanë ardhur me çmim më të lirë sesa kostoja e prodhuesve vendorë.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se marrja e këtyre vendimeve ka qenë e nevojshme, pasi, sipas tij, në tregun e Kosovës këto produkte kanë ardhur me çmim nën koston e prodhimit.


“Do të thotë, këto produkte janë subvencionuar nga shteti i Serbisë që të shiten në Kosovë me çmime të lira. Këto praktika nuk janë të drejta në tregti dhe dëmtojnë tregun vendor, në këtë rast Kosovën.

Në këtë rast tarifat shtesë që janë vendosur në këto produkte nga Ministra e Tregtisë dhe Industrisë janë tarifa vetëm që i bëjnë konkurrente këto produkte me produktet vendore”, ka thënë Panxha

Madje, sipas tij, prodhuesit e miellit dhe tullave ndërtimore kanë kapacitete që të mbulojnë tregun e Kosovës.

Në muajin tetor të vitit të kaluar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur që mielli që importohet nga Serbia në Kosovë, të paguajë 0.04 euro cent për çdo kilogram.

Kurse, në muajin dhjetor, po ashtu, të vitit të kaluar kjo ministri ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme për dy centë në tullat ndërtimore që importohen nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës.

Sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, efekti i këtyre masave mund të vërehet më së miri në aspektin statistikor. Te tullat vërehet një rënie e importit prej 12.5 për qind nga viti 2015 deri në vitin 2017, ndërsa rritje e eksportit prej 79 për qind nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Ndërsa, te mielli, thuhet në një përgjigjeje të kësaj ministrie për Radion Evropa e Lirë, “vërehet një rënie e importit prej 61 për qind nga muaji tetor 2017 deri në muajin dhjetor 2017”.

Edhe përfaqësues të kompanive prodhuese të tullave në Kosovë vendimin e ministrisë e vlerësojnë në dobi të kompanive vendore, por që, sipas tyre, efektet e këtyre masave mund të vërehen në muajin mars, pasi si thonë, në këtë periudhë nuk ka ndërtime.

Egzon Zherka, menaxher në kompaninë prodhuese të materialeve ndërtimore ‘Al Trade Home’ ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi i Ministrisë favorizon prodhuesit vendorë.

“Për momentin nuk mund të vërehen efektet e vendimit pasi jemi në periudhën kur ndërtimet janë ndalë. Besoj se efektet do të vërehen gjatë muajit mars dhe besoj dhe shpresoj se do jenë pozitive, ashtu siç është edhe vendimi”, ka thënë Zherka.

Edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës e ka mirëpritur këtë vendim, sipas të cilëve, me vite të tëra mielli nga Serbia ka rrezikuar prodhuesit e grurit në Kosovë.

Muhamet Ferizi, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se disa herë për këtë çështje janë ankuar në institucionet e Kosovës.

“Ky është vendim shumë real. Kësi lloji masash duhet të marrin edhe për degët tjera, ngase Serbia është e interesuar që të pengojë në çdo lëmi, një ndër to është edhe industria e miellit”, është shprehur Ferizi.

Ndryshe, shteti i Serbisë mbetet partneri kryesor në tregun e Kosovës.

Vetëm gjatë nëntë muajve të vitit të kaluar, Serbia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 300 milionë euro, derisa, eksportet e Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë arrijnë vlerën e jo më shumë se 35 milionë eurove.

Me qëllim të mbrojtjes së industrisë vendore dhe interesave të Republikës së Kosovës, që nga viti 2014 ekziston Ligji për masat anti-damping dhe masat kundërbalancuese.

Dampingu nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm të destinuar për konsum nën kushtet normale të tregut në vendin eksportues;

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, është zotuar se nëse vërteton se ka elemente, të cilat mund të çrregullojnë tregun apo vetëm i kanë shkaktuar dëm një industrie të caktuar vendore, atëherë do të reagojë duke zbatuar legjislacionin në fuqi. Është politikëe qeverisë në këtëmandat që të jetë në mbrojtje dhe partner i biznesit dhe në veçanti i prodhimit vendor. /REL