“Kapitullim i plotë ndaj çështjes së Kosovës”, a po dorëzohet Vuçiqi për të qëndruar në pushtet?

Analisti politik serb, Dorde Vukadinoviq, ka kritikuar ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar për hipokrizi të thellë në qasjen e tij ndaj Perëndimit dhe opozitës së brendshme.
Në një postim në rrjetin social X, Vukadinoviq vlerësoi se, ndërkohë që Vuçiq akuzon opozitën dhe studentët për “tradhti” dhe “skllavëri ndaj qendrave të huaja të pushtetit”, vetë është duke ofruar gjithçka për të arritur një marrëveshje me fuqitë perëndimore, në mënyrë që të sigurojë edhe një mandat tjetër në pushtet.
“Vuçiq po dërgon sinjale se është gati për hapa të rinj dhe të mëdhenj drejt NATO-s. Dje foli me Macronin, mbrëmë Meloni ishte në Beograd – pa ndonjë konferencë për shtyp, ndërsa sot Marko Gjuriq po viziton Uashingtonin pothuajse në fshehtësi, për t’u takuar me senatorin Marko Rubio. Nuk duhet të jesh Ajnshtajn për të kuptuar se për çfarë ‘ofensive diplomatike’ bëhet fjalë”, shkroi ai.
Sipas Vukadinoviqit, Vuçiq po përsërit sjelljen e dimrit të kaluar – përballë një krize të brendshme politike në rritje, ai përpiqet të arrijë një marrëveshje në minutën e fundit me Perëndimin, duke sakrifikuar gjithçka që mundet.
Në tryezë, sipas tij, është kapitullimi i plotë ndaj çështjes së Kosovës – një proces që Vukadinoviq beson se Vuçiq tashmë e ka zbatuar në masë të madhe. Ai përmendi gjithashtu edhe “rehabilitimin politik” të Millorad Dodikut, riaktualizimin e projektit Rio Tinto për nxjerrjen e litiumit në Serbi, dhe sinjalet e reja për afrimin me NATO-n, të cilat, sipas tij, “rusët më në fund i kanë kuptuar – si zakonisht, me vonesë dhe në dëm të tyre”.
“Ai po i bën të gjitha këto në të njëjtën kohë, ndërsa para turmave të sjella me autobusë, bërtet se ‘nuk do ta njohë kurrë Kosovën’, ‘nuk do ta tradhtojë Republikën Srpska’, dhe ‘nuk do t’i kthejë shpinën Rusisë’”, shtoi ai, raporton DANAS, përcjell Telegrafi.
Vukadinoviq përfundoi duke i bërë thirrje patriotëve serbë që ende mbështesin Vuçiqin për "t’u zgjuar", duke thënë se askush që mund të vijë pas tij nuk mund të jetë më i dëmshëm dhe më i pabesë për interesat kombëtare se ai.










































