Pasi kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari mbylli seancën konstituive duke mos vendosur në votim raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve kanë reaguar nga parti, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas reagimit të publikuar në Facebook kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e sërishëm të seancës për konstituimin e Kuvendit.


Tutje në reagim thuhet se të 20-të deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin prezent, por që “Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, nga radhët e LVV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë”.

Sipas reagimit thuhet se skenari i mbledhjes konstituive nuk u respektua, ani pse kishte kushte që të vazhdonin aty ku ishte ndërprerë kjo seancë më 15 prill.

“Prezent ishin 100 deputet, pra kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit, aty ku ishte ndërprerë seanca. Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin e tyre faktik për konstituim të Kuvendit dhe themelim të institucioneve”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Telegrafi/