Deputetët e SHIK-ut me Thaçin e jo me Limajn

Kanë vendosur të mos ia kthejnë shpinën partisë së vjetër dhe shefit të partisë për shumë arsye. Jo vetëm se e ndjejnë vetën pjesë e themelimit të partisë, aty ku tash e 14 vjet po e japin kontributin e tyre, por ish-drejtuesit e Shërbimit Informativ të Kosovës, tani deputet të Kuvendit të Kosovës, do t’i mbesin besnik jo vetëm liderit të partisë Hashim Thaçit, shefit të dikurshëm të shërbimit informativ, Kadri Veselit, por edhe votuesve, atyre që i kanë sjellë në postet që mbajnë sot.
Latif Gashi, Ilmi Reçica, Bekim Haxhiu, e mbase edhe Azem Syla e Fadil Demaku, që të gjithë këta emra të njohur në opinion edhe si drejtues të Shërbimit Informativ të Kosovës do të mbesin edhe më tutje pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Asnjëri nga këta deputetë, pjesëtarë të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës nuk do t’i bashkohet partisë së kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe bashkëpartiakut të tij Fatmir Limaj.
Këta dy të fundit, edhe zyrtarisht të premten do të marrin në duar timonin e drejtimit të partisë së re me emrin Iniciativa Qytetare e Kosovës, por që nga PDK-ja thuajse do të dalin të vetëm.
Të kontaktuar nga gazeta “Botapress”, deputetët e SHIK-ut në Kuvendin të Kosovës, jo vetëm se nuk kanë menduar për asnjë moment largimin e tyre nga PDK-ja, por në anën tjetër ikjen e Krasniqit dhe Limajt nga kjo parti ata e cilësojnë për interesa personale.
“Unë do të vazhdoj angazhimin tim në Partinë Demokratike të Kosovës ashtu sikur deri më tash. Konsideroj se elektoratin tim e kam në këtë parti dhe konsideroj se z.Krasniqi dhe z.Limaj nuk po e bëjnë këtë veprim për çështje të interesit të përgjithshëm, por për çështje të interesit personal”, ka deklaruar deputeti Latif Gashi. /Telegrafi/




















































