Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Sistemi gjyqësor francez zgjodhi guximin në vend të dorëzimit. Ligji ishte i qartë, dhe ashtu ishte edhe gjykata në vendimin e saj: pa trajtime të veçanta për Marine Le Penin, pa nënshtrim ndaj të pushtetshmëve, pa përdorimin e kandidaturës për poste publike si justifikim për të shkelur ligjin pa pasoja.


Për më shumë se një dekadë, nga viti 2004 deri më 2016, partia reaksionare e djathtë e Le Pen - e quajtur Fronti Kombëtar deri në vitin 2018, kur u bë Tubimi Kombëtar [Rassemblement National - RN] - kishte ngritur një skemë të organizuar për përvetësimin e fondeve publike, duke krijuar vende fiktive pune si asistentë parlamentarë në Parlamentin Evropian, dhe duke shkelur rregulla të tjera financiare. Në thelb, fondet publike evropiane janë përdorur për të financuar një parti me borxhe brenda Francës. Sipas një ligji kundër korrupsionit të miratuar në Francë në vitin 2016, dënimi fajësues ndaj Le Penit shoqërohet me një masë ndalimi për të kandiduar për poste publike. Ky ndalim, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe zgjat pesë vjet, do të mbetet në fuqi edhe gjatë procesit të apelit dhe me shumë gjasë i shkatërron çdo shans për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Shumëkush do të shohë paralele midis reagimit të RN-së ndaj këtij vendimi dhe mënyrës se si Donald Trump mobilizoi zemërimin e bazës së tij verën e kaluar, pasi një gjykatë në Nju-Jork e shpalli fajtor për një skemë kriminale të pagesës për heshtje gjatë fushatës së vitit 2016. Në të vërtetë, Jordan Bardella, pasardhësi i mundshëm 29-vjeçar i Le Penit (i cili drejtoi RN-në gjatë zgjedhjeve të paparashikuara legjislative në verë), tashmë po luan kartën e viktimës, duke deklaruar se demokracia franceze është “vrarë”.

Megjithatë, ka disa dallime të rëndësishme. Së pari, ky është një rast dhe një dënim shumë më serioz sesa ai ndaj Trumpit: pagesa për heshtje mund të duket e shëmtuar, por kjo çështje përfshin më shumë se një dekadë mashtrimi sistematik ndaj publikut për miliona euro dhe ka pasoja reale për politikën franceze. Gjatë kohës që ndodhte ky përvetësim, FN/RN ishte thellësisht i zhytur në borxhe ndaj një banke ruse të lidhur me Kremlinin. Shlyerja e këtij borxhi e ndihmoi partinë të pretendonte se nuk kishte më lidhje me rrethin e pushtetit të Vladimir Putinit - a do të kishte qenë e mundur kjo pa fondet e keqpërdorura? Dhe, a do të kishte qenë partia kaq konkurruese në zgjedhjet ku mori pjesë pa këtë avantazh të padrejtë financiar?

Së dyti, me vetë Le Penin që nuk lejohet të garojë në vitin 2027, baza e saj e zemëruar do të duhet ta transferojë mbështetjen te Bardella ose ndonjë sfidues tjetër i mundshëm. Siç pritej, shumëkush nga e djathta po kritikojnë vendimin për ndalim të menjëhershëm - por, kështu po bën edhe Jean-Luc Mélenchon, i cili u nda nga pjesa tjetër e së majtës duke deklaruar se “shkarkimi” i një politikani duhet të “lihet në dorën e popullit”. Partia Komuniste, të Gjelbrit dhe Socialistët, në deklarata të ndryshme kanë theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Kurrë nuk do të dimë se çfarë do të kishte ndodhur nëse sistemi amerikan i drejtësisë nuk do të kishte dështuar plotësisht në mbrojtjen e shtetit ligjor përballë një grushti të tentuar shteti. Nga ana tjetër, ne e dimë mirë se cilat janë pasojat e mosveprimit: shkatërrimi i sundimit të ligjit dhe kapaciteteve shtetërore, krijimi i një sistemi paralel privilegjesh të bazuara në afërsinë me pushtetin politik, dhe rrëshqitja drejt fashizmit të hapur.

Por, ligji nuk mund të jetë zëvendësim për politikën, dhe gjykimi i radhës duhet të jetë politik. E djathta ekstreme duhet të përballet me kontradiktat e saj. U thotë votuesve se qeveria është e mbushur me elita të korruptuara, apo se emigrantët po vjedhin përfitimet sociale - megjithatë, ja ku janë Le Pen dhe 24 anëtarë të tjerë të RN-së, të dënuar për keqpërdorim të madh të fondeve publike. Kërkon dënime më të ashpra nga gjykatat, dhe më pas viktimizohet kur merr vetë dënime të tilla. Flet sipërfaqësisht gjuhën e forcës, por ajo që ofron realisht është dobësi dhe nënshtrim - ndaj Putinit, ndaj Trumpit. Nuk duket se ky vendim do ta ndryshojë ndjeshëm mesazhin apo strategjinë e së djathtës ekstreme; ajo gjithmonë kishte ndërmend të paraqitej si viktimë e “elitave”. Por, pikërisht te kjo kontradiktë e tretë - çfarë janë realisht këto parti dhe çfarë vizioni kanë për të ribërë shoqërinë - ndodhet mundësia më e madhe për ta mundur atë politikisht.

RN nuk e fsheh shoqërinë që zgjedh dhe tërheq. Vendimi i gjykatës franceze u dënua nga “kampionët” e sundimit të ligjit, si Kremlini (që e quajti një “shkelje të normave demokratike”), Elon Musk (natyrisht) i cili e cilësoi si “abuzim” të sistemit gjyqësor, dhe Viktor Orbáni i cili postoi: “Je suis Marine”! Pikërisht. Orbáni është Marine; Putini është Marine; Trumpi është Marine.

Duke u përpjekur të lidhin sjelljen e tyre joliberale përtej kufijve, liderët e së djathtës reaksionare u kanë dhënë mbrojtësve të demokracisë liberale një manual për ta ndjekur. Më duket çudi që, deri tani, pak politikanë evropianë e kanë parë përfitimin e madh që vjen nga pozicionimi si një lloj “anti-Trump”, ashtu siç e ka bërë kryeministri kanadez, Mark Carney, megjithëse vendi i tij është shumë më i ndjeshëm ndaj agresionit amerikan sesa pjesa më e madhe e Evropës. Ndoshta pikërisht ajo ndjeshmëri e ka ndihmuar të shohë më qartë se çfarë është në rrezik - ose të paktën, të jetë më i ndershëm me publikun kanadez për këtë.

Në një sondazh të muajit shkurt, një shifër shqetësuese prej 48 për qind e francezëve u shprehën se “asgjë nuk lëviz në demokraci, duhet të ketë më pak demokraci dhe më shumë efikasitet”. Nuk mendoj se njerëzit duan më pak demokraci; mendoj se ata duan të ndiejnë se dikush po ngrihet dhe po lufton për ta, dhe ka ardhur koha që demokracia liberale të jetë po aq e zëshme në mbrojtje të vetes sa janë kritikët kundër saj. Trumpizmi është kundërshtari i përsosur, pjesërisht sepse është kaq jopopullor për votuesit evropianë, të cilët e shohin atë në veprim dhe për pasojë mbështesin më shumë se kurrë më parë Bashkimin Evropian - përfshirë një mbështetje të gjerë popullore (madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar) për një bashkim evropian të mbrojtjes.

Kur bëhet fjalë për RN-në, nënshtrimi është i ngjizur edhe në vetë emrin e partisë. Në vitin 1936, një gazetar e pyeti Philippe Pétainin, gjeneralin francez dhe heronjtë e betejës së Verdunit, se çfarë i duhej kombit. “Rassemblement national” (tubimi kombëtar), u përgjigj Pétain, i cili vetëm katër vite më vonë do t’ia dorëzonte vendin nazistëve dhe do të udhëhiqte qeverinë kolaboracioniste të Vishit.

Në ShBA, sistemi ligjor u dorëzua përballë idesë se ndjekja e drejtësisë dhe mbrojtja e sundimit të ligjit do të cenonte “unitetin”. Në Francë, jo. Dhe, besoj se do të zbulojmë se guximi do të japë fryte në fund. /Telegrafi/