Debutim me barazim në derbin Bashkimi - Arsimi, Struga e nis me fitore
Sot u zhvilluan edhe dy përballje të tjera të Ligës së Parë. Në Strugë, vendasit fituan ndaj Makedonija Gj.P, ndërsa në Kumanovë u luajt një duel mjaft interesant mes Bashkimit dhe Arsimit të Çegranit nga Gostivari. Të dyja këto skuadra janë rikthyer nga Liga e Dytë, me Bashkimin që luajti ndeshjen e parë në elitë pas 17 vitesh, ndërsa për Arsimin ky ishte debutim historik në Ligën e Parë, njofton Telegrafi
Bashkimi dhe Arsimi e nisën sezonin e ri në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut me nga një pikë, pasi ndanë barazimin 1-1 në stadiumin e Kumanovës. Ishte një duel i zjarrtë mes dy skuadrave shqiptare që vetëm këtë vit u rikthyen në elitë, duke dhuruar një lojë të luftuar dhe me raste të shumta në të dy portat.
Ndeshja nisi me presion të Bashkimit, që krijoi disa mundësi të rrezikshme në 15 minutat e para, por pa arritur të gjejë golin. Arsimi u mbrojt mirë dhe tentoi të godiste në kundërsulm, duke u shpërblyer në minutën e 31-të, kur Besagiq realizoi për epërsinë 0-1. Vendasit patën menjëherë shansin për të barazuar, por topi i Adenkules goditi shtyllën, ndërsa Hadzhiq humbi një rast ideal nga afër.
Pjesa e dytë solli reagimin e Bashkimit, që barazoi në minutën e 62-të me golin e Marko Simonovskit, duke ndezur atmosferën në tribuna. Deri në fund, të dyja skuadrat patën mundësi të arta për golin e fitores – Oguzhan Ajdogan për Bashkimin goditi traversën, ndërsa Ramadani i Arsimit doli i vetëm para portierit, por nuk shënoi.
Skuadra e Struga Trim Lum e nisi me fitore sezonin e ri, duke e mposhtur në shtëpi 2-0 skuadrën e Makedonija Gj.P, e cila këtë vit u rikthye në elitë nga Liga e Dytë. Pjesa e parë nisi qetë dhe pa raste të rrezikshme, ndërsa momentet e para interesante erdhën drejt fundit. Në minutat shtesë të pjesës së parë, pas një gabimi në mbrojtjen mysafire, Maudo Lamine Jarju realizoi me kokë për epërsinë 1-0. Ky ishte edhe rasti i parë në historinë e futbollit vendor kur sistemi VAR anuloi një gol (i Kompaore), për shkak të prekjes së topit me dorë.
Në pjesën e dytë, Struga vazhdoi presionin dhe në minutën e 75-të vulosi fitoren me golin e Kompaores. Në këtë sfidë debutoi edhe futbollist i vetëm grek në elitën e futbollit, Kyriakos Mazoulouxis.
Kujtojmë se dje Shkëndija shënoi fitore bindëse ndaj Shkupit me rezultat 5-1, ndërsa Vardari triumfoi ndaj Pelisterit 4-1. Java e parë e kampionatit vazhdon nesër me përballjen Tikveshi – Rabotniçki (17:30) dhe mbyllet të hënën me ndeshjen Sileksi – AP Brera (17:30). /Telegrafi/






























