Site icon Telegrafi

Courtois zbulon detaje të pathëna më herët për raportin e tensionuar që kishte me Navasin

Në një dokumentar për Prime Video, portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka diskutuar një gamë të gjerë të temave duke rikujtuar në të njëjtën kohë disa prej momenteve më të mira në karrierën e tij.

Kur Courtois iu bashkua fillimisht Real Madridit, ai ishte nervoz për pritjen që do t’i bëhej nga trajneri i atëhershëm, Zinedine Zidane.

Portieri belg fillimisht kishte besuar se Zidane do të favorizonte Keylor Navas, që atë kohë ishte zgjedhja e parë e portës për Real Madridit dhe se ky do të mbetej i injoruar.

Sidoqoftë, Zidane ka biseduar sy më sy me Courtois, duke adresuar tensionin që ishte krijuar mes dy palëve. Ai i kishte bërë me dije portierit se ka besim tek aftësitë e tij dhe se do të ishte zgjedhja e parë e portës.

“Zidane foli me mua, ai ndjeu se ne nuk kishim një raport aq të mirë dhe unë i thash atij se kisha mendimin që nuk i pëlqej atij. Pastaj, ai tha jo, ai më tha se ka besim tek unë dhe se do të isha portieri i tij”, ka thënë Courtois.

Megjithatë, situata me Keylor Navas del të jetë diçka krejtësisht ndryshe. Courtois zbuloi se portieri kostarikan nuk ishte i kënaqur me transferimin e tij.

Përkundër faktit se kishte fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve, Navas kishte ndjerë se prezenca e Courtois do t’i rrezikonte pozitën në klub.

“Keylor kishte fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve kur erdha këtu, ai ndjeu se unë po e zë hapësirën e tij”, shtoi tutje belgu./Telegrafi/

Exit mobile version