Site icon Telegrafi

Çfarë tregon prania e proteinave në urinë gjatë shtatzënisë

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725 

Gjatë shtatzënisë organizmi person shumë ndryshime. Edhe veshkat pësojnë ndryshime bile edhe gjatë një shtatzënie normale: veshkat filtrojnë gati dyfish më shumë se normalisht, shtypja e gjakut ulet për 10 mmHg (për shkak se progesteroni bën që të relaksohen muskujt e enëve të gjakut), rrugët urinare (ureterët dhe pelvisi renal) zgjerohen gjë që bën që urina të qëndrojë për një kohë më të gjatë në organizëm dhe rritet rreziku për infeksion të traktit urinar, rritet madhësia e veshkave për 1-1.5 cm.

Këto ndryshime shfaqen maksimalisht në fund të tremujorit të dytë, kurse më pas fillojnë të kthehen siç kanë qenë përpara shtatzënisë (ndryshimet anatomike nuk tërhiqen edhe deri në tre muaj pas lindjes).

Prania e proteinave në urinë mund të tregojë poashtu se në organizmin tuaj ka një infeksion. Ekskretimi i proteinave në urinë rritet gjatë shtatzënisë, por asnjëherë në vlerë më të madhe se 300 mg/ditë.

Për këtë arsye rekomandohet që në vizitat antenatale edhe nëse nuk keni asnjë shqetësim mjeku ju rekomandon që të bëni testin e urinës dhe nëse në urinë do të ketë proteina dhe baktere atëherë do të duhet të merrni ndonjë antibiotik.

Antibiotiku zgjidhet në bazë të antibiogramit dhe normalisht duhet të jetë i sigurt dhe i parrezikshëm për ju dhe për beben tuaj.

Duhet ta keni parasysh se testimi për proteinuri (prezencën e proteinave në urinë) është një test rutinë që duhet të bëhet në secilën vizitë antenatale. Vlera e proteinave në urinë mund të caktohet si negative (domethënë nuk ka proteina në urinë) ose pozitive që do të thotë se ka proteina në urinë dhe kjo pastaj mund të kategorizohet si një plus, dy plusa ose tre plusa (+, ++ ose +++).

Varësisht nga proteinuria mjeku mund t’ju rekomandojë që të takoheni edhe më shpesh për të përcjellur se a po shtohen proteinat në urinë.

Duhet të tregohet një kujdes shumë më i shtuar nëse proteinat shfaqen në gjysmën e dytë të shtatzënisë. Nëse proteinuria shfaqet në këtë fazë të shtatzënisë kjo është shenjë se është duke u zhvilluar një çrregullim jashtëzakonisht i rrezikshëm i shtatzënisë që quhet preeklampsia . Gjatë preklampsisë rritet shtypja e gjakut gjë që ndikon në funksionin e veshkave.

Veshkat mund të mos punojnë si duhet dhe proteinat të cilat normalisht duhet të qëndrojnë në gjak, pasi që janë molekula të mëdha dhe nuk e kalojnë filtrin e veshkave, atëherë ato kalojnë në urinë.

Nëse në urinë do të ketë proteina dhe nëse shtypja e gjakut është e lartë, atëherë do të duhet që gjendja juaj të përcillet me shumë kujdes. Duhet të bëhet analiza e gjakut, faktorët e mpiksjes së gjakut, analizat të cilat tregojnë funksionin e mëlçisë dhe të veshkave.

Mund të ndodhë që një shtatzënë të mos ndjejë asnjë shqetësim, por për shkak të pranisë së proteinave në urinë mjeku i rekomandon që të shtrihet në spital. Gjatë qëndrimit në spital do të caktohet sasia e proteinave e cila ekskretohet në urinë gjatë 24 orëve si dhe do të bëhen analizat e sipërshënuara.

Varësisht nga gjendja e shtatzënës atëherë bëhet plani se si do të menaxhohet shtatzënia në ditët ose javët në vijim.

Shenjat e preeklampsisë të cilat shfaqen në gjysmën e dytë të shtatzënisë janë: problemit me të pamurit, enjtja e përnjëhershme e duarve, këmbëve ose fytyrës, kokëdhembja e shoqëruar me të vjellura, dhimbja nën brinjë dhe nëse shtatzëna nuk e ndjen veten mirë.

Këto shenja mund të shfaqen shumë shpejt, prandaj është shumë me rëndësi që për secilin shqetësim që keni të konsultoheni me mjekun tuaj. /Telegrafi/

Exit mobile version