Site icon Telegrafi

Çedomir Jovanoviq sulmohet nga tifo-grupi Hienat, ai iu kundërpërgjigjet duke hedhur karrige në drejtim të lokalit – intervistohet nga policia

Politikani nga Serbia, Çedomir Jovanoviq, është raportuar nga mediat e këtij vendi se gjatë mbrëmjes së kaluar është përleshur me disa persona në Beograd.

Madje u raportua se ai ka demoluar një lokal të ushqimit të shpejtë, duke ia thyer xhamat me një karrige, transmeton Telegrafi.

Kjo bëri që njësi të shumta të policisë të dalin në vendin e ngjarjes dhe të intervistojnë liderin e LDP-së në Serbi.

Por gjatë një interviste dhënë për tv prva, Jovanoviq ka thënë se ishin media të caktuara në Serbi që kanë shtrembëruar dhe ekzagjeruar ngjarjen.

Sipas tij ai ishte sulmuar nga huliganë të një klubi futbollistik, duke bërë që ai të reagojë duke hedhur një karrige në drejtim të një lokali të ushqimit të shpejtë.

“Kam shkuar në polici për të dhënë deklaratën sikurse çdo qytetar tjetër. Ishin mediat e caktuara që kanë shkruar ndryshe”.

Ai ka konfirmuar se ishte sulmuar nga pjesëtarët e tifo grupit Hienat, të cilëve ua ktheu me të njëjtën monedhë.

Për të demantuar raportime të caktuara, ai tha se ekzistojnë pamje nga kamerat e lokaleve të shumta që mund ta dëshmojnë versionin e tij.

“Ky nuk është sulmi i parë… Vazhdimisht me presin sikurse mbrëmë. Kam hedhur karrigen në xham, po. Sepse ata vetëm këtë lloj të gjuhës e kuptojnë. Nuk kam shkuar unë tek ata, por ata kanë ardhur tek unë. Le të më vizitojnë në rrugë, nuk më intereson. Po të mos kishin sulmuar, nuk do të ndodhte asgjë”, ka deklaruar Jovanoviq. /Telegrafi/

 

Exit mobile version