Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë se raportet e Kosovës me NATO-n nuk janë të tensionuara, duke e quajtur të pakuptimtë deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, për “tensionim të raporteve me NATO-n”.

Ky reagim i zv/ministrit Ramadani, përmes një postimi në Facebook, vjen si përgjigje ndaj një deklarate të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, të bërë në RTV Dukagjini, ku ka thënë se “raportet e punës mes Kosovës dhe partnerëve të saj, NATO-s dhe BE-së, janë të tensionuara”.


Postimi i plotë i Ramadanit:“Kosova dhe NATO nuk kanë raporte të tensionuara. Fare. Bashkëpunimi po vazhdon njëjtë dhe për çdo ditë. Komunikimi është i rregullt dhe pa asnjë mangësi. Po flas për diçka që e bëjmë secilën ditë. Pa asnjëlloj tensionimi. Përkundrazi, ne po diskutojmë për modelet e thellimit të partneritetit. I pakuptimtë insistimi i Lutfi Hazirit për ‘tensionimi e raporteve me NATO-n’", ka shkruar Ramadani. /Telegrafi/