Ish-mesfushori i Milanit dhe Barcelonës, Kevin-Prince Boateng zbulon se Lionel Messi e pyeti atë nëse ishte e vështirë të shënosh gola në Itali kur matej me rivalin e tij gjatë kohës kur Cristiano Ronaldo luante në Juventus.
Kishte thashetheme për një kohë të gjatë se Interi ishte afër nënshkrimit të Messit kur ai ishte ende një lojtar shumë i ri dhe e njëjta u raportua përsëri kur argjentinasi u largua nga “Camp Nou” në drejtim të PSG-së në vitin 2021.
Reprezentuesi argjentinas ishte shok skuadre me Boateng për gjashtë muaj në vitin 2019 dhe fliste rrallë me të, përveçse kur e pyeti për jetën në Serie A.
“Ne folëm një herë në dush, ai më pyeti nëse ishte e vështirë të shënosh gola në Itali”, ka thënë Boateng për emisionin “Vibe with Five”.
“Sepse në atë kohë Ronaldo ishte në Itali. Ai më pyeti, a do të shënoja shumë gola? Unë iu përgjigja: do të shënoje kudo, ti je Messi”, u shpreh Boateng.
“Ju mund ta shihnit pak rivalitetin. Ata e respektojnë shumë njëri-tjetrin, por ju mund të vëreni se ai po pyeste a është e vështirë. Thashë se është më e vështirë, sepse në Itali është më e rëndësishme të mbash portën e pastër sesa të shënosh”.
Boateng është i bindur se Messi do të kishte qenë në gjendje të luante në Itali po aq mirë sa bëri Ronaldo.
“Ai mund të shënojë sa herë të dojë, si Ronaldo. Këta të dy, ata mund të shkonin kudo.”
Megjithatë, vlen të theksohet se portugezi u përball me shumë kritika gjatë kohës së tij me Juventusin dhe madje edhe tifozët e “Zonjës së Vjetër” nuk i vlerësuan gjithmonë paraqitjet e tij.
“Futbolli është i tillë, në një sekondë ata harrojnë gjithçka. Ky djalë shënoi çdo ndeshje, dy ose tre gola”, përfundoi Boateng./Telegrafi/