Big Brother VIP Albania ka qenë pa diskutim një prej programeve më të ndjekura të këtij viti në ekranet shqiptare.
Shtëpia më e famshme në Shqipëri ka bërë për vete mijëra shikues anë e kënd trevave shqiptare me dinamikat, situata dhe personazhet interesantë që ndodheshin brenda.
Tashmë spektakli ka katër finalistë, teksa janë gjithsej 37 emrat VIP që janë futur sivjet në Big Brother VIP Albania.
Nga këta 37 konkurrentë, nëntë prej tyre kanë pasur fatin që t’iu ndërpritet gara, disa me dëshirë e disa me vendim të produksionit për arsye të shkeljes së rregullave.
Me këtë shifre, programi Big Brother ka shënuar “rekordin e tij të zi”, pasi në 12 ediicione organizimi, nuk ka ndodhur asnjëherë që të largohen kaq shumë banorë.
Telegrafi në vazhdim ju sjell një përmbledhje të të gjithë banorëve që u larguan me dëshirë dhe atyre që u përjashtuan gjatë gjithë kësaj aventura mbi 100 ditore:
Zhaklina Gjolla
Gazetarja Zhaklina Gjolla hyri në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, por dha dorëheqje vetëm gjashtë ditë më pas. Ajo tha se debatet e shumta me disa nga banorët e kishin rënduar gjendjen e saj psikike, me çka edhe kishin çuar në marrjen e këtij vendimi.
Për ironi të fatit, kur ajo u ftua në studio për intervistë dhe hapi biletën e saj të fatit, zbuloi se kishte një biletë kthimi, me ç’rast do të kishte dy mundësi qëndrimi brenda në shtëpi.
Kejvina Kthella
Ishte padyshim një nga emrat më të njohur kur u fut në edicionin e dytë të Big Brother VIP Albania. Por rrugëtimi i bukuroshes Kejvina Kthella në këtë aventurë qe jetëshkurtër, kjo pasi ajo u eliminua të martën e datës 17 janar, gjatë transmetimit direkt të spektaklit.
Vendimi për përjashtimin e saj erdhi nga produksioni, pasi ishte publikuar një video ku ajo kishte ushtruar dhunë fizike ndaj konkurrentit Luiz Ejlli brenda shtëpisë.
Bledi Mane
Bledi Mane hyri me një vetëbesim shumë të madh në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, por nuk pati të njëjtin vetëbesim në ditën kur u largua apo dha dorëheqje.
Ai u largua më datën 21 shkurt në një prej mbrëmjeve të spektaklit vullnetarisht, pasi ndodhej i nominuar me Kiarën dhe Luizin, që shquheshin si dy konkurrentë të fortë që publiku zor se do t’i nxirrte nga shtëpia.
Megjithatë Bledi pati fatin e rihyrjes, në datën 1 prill kur produksioni hapi një televotim për të rikthyer katër banorë të eliminuar, një prej të cilëve (Efi) është tashmë në finale.
Valbona Mema
Këngëtarja e njohur e muzikë popullore, Valbona Mema, iu bashkua gjatë rrugës spektaklit të shumë shikuar nga shqiptarët. Mirëpo për shkak të një çështje familjare, ajo u detyrua të lërë shtëpinë në datën 22 shkurt.
Ajo njoftoi publikun vetëm pak ditë më vona se motra e saj, për të cilën edhe kishte dalë nga shtëpia që t’i gjendej pranë, kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë me të cilën po përballej.
Ermiona Lekbello
Ish-missi dhe këngëtarja Ermiona Lekbello ishte pa dyshim një prej personazheve më të dashur nga publiku gjatë këtij edicioni të BBVA. Shumë situata dhe debate që ajo ka zhvilluar brenda shtëpisë, tani janë disa nga ‘meme’-t më të famshme në rrjetin social TikTok.
Edhe Ermiona hyn në listën e banorëve përjashtuar, pasi produksioni mori vendim që ajo të lërë shtëpinë si rezultat i dhunës verbale që kishte ushtruar ndaj disa banorëve të tjerë, pak ditë pasi Big Brother ua kishte tërhequr vërejtjen për herë të fundit banorëve me një ultimatum. Ermiona la shtëpinë më datë 1 mars.
Eva Alikaj
Në po të njëjtën ditë si Ermiona, fatin e përjashtimit e pati edhe Eva Alikaj. Aktorja e rolit kryesor në shfaqjen e njohur “Pallati 176” u përjashtua me vendim të produksionit pasi gjithashtu kishte ushtruar dhunë verbale.
Eva, Ermiona dhe Bledi janë ndër banorët e rinj, që i janë bashkuar pak më vonë rrugëtimit në Big Brother VIP Albania 2.
Tan Brahimi
Aktori i spektaklit të humorit “Portokalli” tronditi opinionin me historinë e tij rrëqethëse të rrëfyer nhë shtëpinë e Big Brother VIP Albania, së cilës iu bashkua pak më vonë se të tjerët, si konkurrent i ri.
Megjithatë, edhe ai dha dorëheqje nga ky program më datën 4 mars, e cila ishte e shtuna e spektaklit.
Olta Gixhari
Padyshim që mund të thuhet se ishte një personazhet kryefjalë të edicionit të dytë të Big Brother VIP Albania. Aktorja nga Durrësi, Olta Gixhari, përgjatë gjithë qëndrimit të saj mbi 100 ditor u shqua si një prej konkurrenteve më të forta dhe potenciale për ta fituar BBVA.
Mirëpo ajo e ndërpreu këtë rrugëtim duke u larguar me vetëdëshirë në datën 1 prill, pasi e ndjente tej mase mungesën e djalit të saj, Amar. OIta ishte një nga banoret e cila ishte futur në shtëpinë e Big Brother VIP Albania që në natën e parë të spektaklit më 24 dhjetor 2022.
Lorenc Hasarama
Lista “famëkeqe” mbyllet me këngëtarin Lorenc Hasrama, i cili karrierën e nisi në spektaklin “The Voice of Albania”. Lorenci iu bashkua më vonë shtëpisë më të famshme në Shqipëri, por që vullnetarisht u largua vetëm disa javë më pas.
Ai la përfundimisht shtëpinë të shtunën e datës 8 prill, ku si arsye dha presionin psikik që ishte krijuar brenda shtëpisë.
Finalja e madhe e Big Brother VIP Albania përndryshe do të mbahet në datën 6 maj me katër finalistët e këtij edicioni: Luiz Ejlli, Deamishel Hoxha, Kristi Aliaj (Dragot) dhe Efi Dhedhes. /Telegrafi/