Site icon Telegrafi

Berisha: Na penalizoi mentaliteti ballkanas, nuk i frikësohem askujt te Italia

Kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Italisë.

Portieri theksoi se kuqezinjtë shpesh i ka ndëshkuar mentaliteti ballkanas ndërsa shtoi se nga azurrët nuk i frikësohet askujt.

Nga ana tjetër, Berisha nuk përjashtoi mundësinë për t’u larguar nga Torino nëse nuk gjen hapësira në skuadër.

“Për ne është me shumë rëndësi të tregojmë vlerat tona. Mbi të gjitha pas atyre rezultateve në Ligën e Kombeve, është e rëndësishme të bëjmë mirë në këtë ndeshje. Duke njohur lojtarët dhe ekipin do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të fortë dhe të mirë, i kemi kualitetet. Shpresoj të paraqitemi dhe të marrim rezultat”.

“Atmosfera është shumë e mirë, kam thënë gjithnjë që kemi mentalitetin ballkanik që mund të na ndëshkoj herë pas herë. Me ekipet në kategorinë tonë apo më poshtë ne lëshojmë diçka, ndërsa me ekipet më të forta nuk gabojmë në këtë drejtim. Por, mendoj se kemi mësuar nga këto gabime dhe në ndeshjet e tjera shpresojmë të ketë një qasje më të mirë sepse kur nuk je i vëmendshëm e pëson. Nesër nuk duhet të bëjmë gabime se Italia ka ekip të fortë”.

Kush të frikëson më tepër? “Asnjë nuk më frikëson, kam respekt për të gjithë. Italia është shquar për lojën në ekip dhe nuk ka ndonjë lojtar që të dallohet shumë. Duhet ta përgatisim lojën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të shpresojmë në një rezultat pozitiv”.

Çfarë mendon për të rinjtë që i janë shtuar grupit? “Kemi bërë vetëm një stërvitje dje dhe sot, djemtë kanë kualitet dhe është një mundësi e mirë që të jenë me grupin dhe më pas do të shihet edhe mundësia që do t’i jepet në të ardhmen. Trajneri ka bërë mirë që i ka marrë, ka parë gjëra të mira edhe në miqësore dhe lojtarët në të ardhmen mund të tregojnë veten”.

Situata te Torino? “Kur luajta në fundin e kampionatit u mundova të jap maksimumin, në atë moment skuadra po shkonte mirë. Fundi i kampionatit ishte shumë i mirë për mua, prisja më shumë hapësira, por nuk ndodhi ashtu. Do të mundohem të bëj maksimumin dhe të pres rastin tim, në të kundërtën do të shoh hapësirë diku tjetër”. /SS/

Exit mobile version