Në Komisionin hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, sot është intervistuar ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Beqaj është pyetur rreth procesit të privatizimit të Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), por që ai tha se nuk mund të përgjigjet pasi është një proces gjyqësor që po zhvillohet dhe përgjigjet e tij mund të ndikojnë në gjykim.
“Është duke u zhvilluar një proces gjyqësor dhe derisa është procesi në vijim e sipër nuk mund të përgjigjem. Besoj që këtë çështje do ta zgjedh gjykata”, tha Beqaj.
Pavarësisht kësaj kryesuesi i këtij Komisioni, Hajrullah Çeku dhe deputeti i LVV-së, Hekuran Murati kanë vazhduar me pyetjet rreth kësaj çështjeje.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, ka insistuar që për privatizimin e KEDS do të flas pasi të përfundojë gjykimi.
“Unë nuk kam refuzuar me iu përgjigje, unë po them që kjo është në procedurë ligjore dhe kjo mund të ketë implikim dhe nuk do të përgjigjem”, tha ai.
Polemika mes deputetëve ka pasur edhe rreth pyetjes së deputetit Murati drejtuar Beqajt, se çka është ekonomia e tregut.
Rreth kësaj pyetje ka reaguar deputeti i PDK-së Sejdi Hoxha, duke thënë se të bëhet kjo pyetje është fyerje.
“T’i pyesim për pyetjet që nuk kanë relevancë, ta pyesësh dikë se çka është tregu është fyerje”, tha ai.
Ish-ministri Beqaj, i është përgjigjur deputetit Murati.
“Nëse nuk e dini mund të vini në ligjërata në fakultet”, tha Beqaj.
Deputetët kanë kërkuar përgjigje edhe për tentimin për të privatizuar Telekomin e Kosovës, për çka Beqaj tha se ka qenë gabim që nuk është privatizuar.
I pyetur rreth abuzimeve në procesin e privatizimit, Beqaj tha se nëse do të kishte njohuri për abuzime të tilla do t’i adresonte. /KP/