Site icon Telegrafi

Buxheti mbi 3.2 miliardë euro – sot në shqyrtim të dytë Projektligji për vitin 2023

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë paga dhe mëditje dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime.

Lidhur me këtë, deputetet e Kosovës sot do të diskutojnë shqyrtimin e dytë për ndarjet buxhetore.

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar lidhur me Projektligjin e vitit 2023, me ç’rast specifikohet se “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, behën pjesë e Fondit të Kosovës në Bilancin Bankar”.

Me këtë rast, Rama është shprehur se të hyrat vetanake të Prishtinës, i takojnë vetëm kryeqytetit, teksa ka thënë se miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm në këtë formë është anti-Kushtetues.

“Miratimi i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023 në këtë formë do të paraqesë shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Neni 124, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon se ‘komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin’”, thuhet në reagimin e Ramës.

Derisa Instituti për Studime të Avancuara GAP thotë se te komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës ka pasur ndarje të balancuar të buxhetit, derisa komunat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përfitojnë vetëm 1 për qind të investimeve përkundër se ato mbulojnë 8 për qind të popullsisë.

“Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna. 52 për qind e kësaj shume apo 12 milionë euro do të orientohet tek komunat e udhëhequra nga LVV, komuna që mbulojnë 9 për qind të territorit dhe 8 për qind të popullsisë”, thuhet në raportin e GAP-it. /Telegrafi/

Exit mobile version