Kanë mbetur vetëm tri klube shqiptare që po vazhdojnë garat në Evropë, gjegjësisht në Ligën e Konferencës, ku janë afër fazës së grupeve. Bëhet fjalë për Ballkanin, Partizanin dhe Strugën që morën fitore sot.
Gjithçka nisi me ndeshjen e Strugës ndaj Swift Hesperange nga Luksemburgu, ku skuadra shqiptare mori fitore.
Sulmuesi Besart Ibraimit shënoi het-trik në fitoren e kampionit të Maqedonisë së Veriut dhe do të udhëtojnë në Luksemburg më të qetë për ndeshjen e kthimit.
Në rast kualifikimi në play-off, Struga do të luajë me humbësin e ndeshjes Zrinjski – Breidablik, ku boshnjakët në ndeshjen e parë morën fitore me rezultat 6-2 dhe me shumë gjasë islandezët do të jenë kundërshtar i strugasve.
Fitoren më të madhe ndoshta e mori kampioni i Shqipërisë, Partizani, i cili triumfoi si mysafir i skuadrës nga Letonia, Valmeira.
Pas pjesës së parë, tiranasit ishin duke humbur 1-0 pas golit të Gustavo Silva. Por në pjesën e dytë me golat e Tedi Cara dhe Arinaldo Rrapaj mori fitore të rëndësishme.
Partizani e pret të enjten e 17 gushtit në “Air Albania” skuadrën e Valmeiras për ndeshjen kthyese të këtij ballafaqimi dhe dy rezultatet i mjaftojnë për të kaluar tutje.
Ndërkohë, Partizani kundërshtarë do të ketë humbësin e ndeshjes Astana – Ludogorets, me ndeshjen e parë që u mbyll 2-1 në të mirë të kazakëve.
Nata e madhe e klubeve shqiptare u mbyll me fitoren e arritur nga Ballkani.
Të besuarit e Ilir Dajës, fituan sonte në rrethin e tretë kualifikues ndaj kampionit të Gjibraltarit, Lincoln Red Imps me rezultat 2-0.
Meriton Korenica dhe Lorenc Trashi i shënuan golat në këtë përballje.
Kampioni ynë ndeshjen e kthimit do ta luajnë javën e ardhshme në “Victoria Stadium” në Gjibraltar.
Ballkani nëse kalon në play-off do të takohet me humbësin e ndeshjes Sheriff Tiraspol – BATE Borisov, me këtë të fundit që kanë tashmë gjasa reale, pasi humbjes me rezultat 2-1 në ndeshjen e parë. /Telegrafi/