Rio Ferdinand, futbollisti legjendar i Manchester United dhe kombëtares angleze, ka kujtuar se si ka folur me Luka Modric në vitin 2012.
Kroati dëshironte t’i bashkohej Man Unitedit, por gjiganti anglez vendosi të sillte japonezin Shinji Kagaëa nga Borussia Dortmund për 16 milionë euro.
“Mendova se mund të arrija çdo lojtar që është i lirë ose që është një yll i ardhshëm. Madje kam biseduar me Thiagon para se të largohej nga Barcelona për në Bayern Munich, ai transferim pothuajse ndodhi, por ne sollëm Fellainin”, rrëfeu Ferdinand.
Ai tutje foli për Luka Modricin, ku tregon se si bisedoi me të dhe se çfarë i kishte thënë kroati për transferimin te Manchester United.
“Më kujtohet që fola me Modric. E pyeta nëse do të largohej nga Tottenham dhe ai tha se mendonte se do të largohej, por nuk ishte i sigurt se ku do të shkonte. Unë i thashë: “Dëgjo, hajde te United”, për të cilën ai u përgjigj: “Shiko, unë dua të bëhem kroati i parë në historinë e Manchester United. A mund ta bëjmë këtë të ndodhë?”.
“Unë fola me njerëzit në klub dhe me Sir Alex, por ai kishte plane të tjera. Ai tashmë kishte rregulluar gjithçka për transferimin e Shinji Kagawa. Ata e sollën atë dhe Modric shkoi në Real Madrid. Pjesa tjetër është histori”, përfundoi Ferdinand.
E ndërsa Modric arriti suksese të panumërta te Real Madridi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kagawan.
Pasi luajti 57 herë në dy vjet dhe shënoi gjashtë gola për klubin nga Old Trafford, ai u kthye në Dortmund për 8 milionë euro. /Telegrafi/