Në një marrëdhënie, çiftet shpesh refuzojnë të bëjnë kompromise, pasi natyra njerëzore është e prirur të mendojë se gjithmonë ai ka të drejtë. Nëse një çift nuk ka aftësinë e bërjes së kompromiseve, jetët e tyre ka shumë gjasa të ndahen në rrugë të ndryshme.
Për aq kohë sa bëni pjesë në një marrëdhënie dyshe, partnerët duhet të jenë të aftë të mendojnë dhe të kujdesen për tjetrin, të mirëkuptohen në aspekte të ndryshme të bashkëjetesës së tyre, duke u nisur që nga vogëlsitë e deri te gjërat madhore: Që nga vendimet e rëndësishme familjare, punët e përditshmërisë, e deri te zgjedhja e një filmi që do të shihni.
“Nëse nuk i pëlqeni filmat dhe partneri juaj është i çmendur pas tyre, çdo mbrëmje fiksohet me orë të tëra para televizorit dhe ju ndiheni pa dyshim e bezdisur dhe e lënë pas dore, do të thotë se preferencat mes jush nuk kanë aspak përputhje në këtë pikë!”
Pra, kur bëhet fjalë për kohën e shpenzuar për filmat, ky çift ndodhet në një rrugë pa krye. Pikërisht në një rast si ky, duket se është e domosdoshme që arti i kompromisit të funksionojë, transmeton Telegrafi.
Një kompromis që është i kënaqshëm për të dyja palët, në rastin e mësipërm, është lejimi që partnerja i bën partnerit të saj që të mos heqë dorë nga preferencat vetjake, por në të njëjtën kohë duke mos e nënshtruar veten deri në “vetëmjerim”.
Një kompromis pozitiv: Një herë në kaq kohë, çifti vendos të ulet e të ndjekë një film të tematikave që pëlqehen nga të dy, ose kur femra vendos të merret me diçka tjetër, si leximi i një libri, kujdesi ndaj estetikës personale gjatë kohës kur partneri është duke ndjekur filmin e radhës. Është e njëjta gjë që ai bën për ju kur jeni në pazar dhe ju nuk ngopeni kurrë me orët e gjata të shpenzuara nga një dyqan tek tjetri dhe ai ju pret ose në një kafene aty afër, ose ju shoqëron pa u bezdisur. Nuk është nevoja të ankoheni.
Lëreni të lirë partnerin të bëjë gjërat e tij, ndërkohë që ju bëni gjërat tuaja. Kur të dy bëni atë që dëshironi, ndiheni të përmbushur dhe të lumtur. Për këtë arsye, kompromisi funksionon më së miri, pasi i lejon të dyja palët të ndihen mirë me vetveten dhe mes njëri-tjetrit. /Telegrafi/