Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor cili ishte i angazhuar në policinë kufitare - Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione dje ku dyshohej se ky zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari të moshës së mitur me ç’ rast të njëjtit i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, transmeton Telegrafi.


IPK-ja ka ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj pas të cilave ka dyshim të arsyeshëm që zyrtari policor ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

"Zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë", thuhet në njoftim.

Po ashtu theksohet se në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të hetimit penal, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për këtë zyrtar policor përderisa veprimet tjera hetimore do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj./Telegrafi/