Zyrtare: Shkëndija ndan rrugët me trajnerin Jeton Beqiri
Shkëndija ka njoftuar se trajneri Jeton Beqiri nuk do ta drejtojë skuadrën kuqezi në sezonin e ardhshëm, pasi kontrata e tij përfundon me mbylljen e kampanjës garuese 2025/2026.
Sipas komunikatës zyrtare, pas një vlerësimi të përbashkët të periudhës së bashkëpunimit, klubi dhe trajneri kanë vendosur që rrugët të ndahen në këtë moment, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm në historinë e fundit të Shkëndijës.
Beqiri e mori drejtimin e ekipit në janar të vitit 2024 dhe gjatë periudhës së tij në stolin kuqezi e udhëhoqi Shkëndijën drejt titullit kampion në sezonin 2024/2025.
Po ashtu, nën drejtimin e tij, Shkëndija regjistroi edhe paraqitjen më të suksesshme në historinë e klubit në arenën evropiane, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës së Ligës së Konferencës dhe duke avancuar deri në fazën play-off të kompeticionit.
Në fund të njoftimit, klubi nga Tetova e falënderoi Beqirin për kontributin dhe i uroi shëndet e suksese në vazhdim të karrierës.
“Të gjithë në KF Shkëndija e falënderojmë Jeton Beqirin për kontributin e dhënë gjatë drejtimit të skuadrës dhe i urojmë shumë sukses në të ardhmen”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


