Please enter at least 3 characters.

"Zoti e bekoftë Man Unitedin, nuk ka klub më të mirë në shkatërrimin e talenteve" - gazetari italian ironizon keq me anglezët

McTominay dhe Hojlund

Gazetari italian Paolo Condo ka bërë shaka në lidhje me politikën e transferimeve të Manchester United, duke theksuar se shumë ish-lojtarë të “Djajve të Kuq” po shkëlqejnë në Serie A.

Shembulli më i fundit është Rasmus Hojlund, i cili iu bashkua Napolit këtë verë në formë huazimi dhe debutoi me gol në fitoren 3-1 ndaj Fiorentinës fundjavën e kaluar.

Sulmuesi danez shënoi golin e dytë të ndeshjes, duke justifikuar menjëherë besimin e kampionëve të Italisë.

“Zoti e bekoftë Manchester United. Nuk ka asnjë klub tjetër në botë që është më i mirë në shkatërrimin e talenteve gjatë dekadës së fundit. Këtë fundjavë pamë Hojlundin e madh, vitin e kaluar Scott McTominay e udhëhoqi Napolin drejt Scudettos. Nuk mund të ndalemi së falënderuari ata”, shkroi me ironi Condo.


Manchester United e bleu Hojlundin nga Atalanta dy vite më parë për 83 milionë euro (me bonuse), duke e konsideruar një prej talenteve më të mëdhenj të brezit të tij.

Megjithatë, sezoni i kaluar ishte zhgënjyes për danezin, i cili luajti 32 ndeshje në Ligën Premier, por realizoi vetëm katër gola, shpesh si zëvendësues në skemat e trajnerit Ruben Amorim.

Për këtë edicion, Man United vendosi ta huazojë, duke forcuar repartin ofensiv me afrimet e Benjamin Sesko, Bryan Mbuema dhe Matheus Cunha.

Ndërkohë, Napoli shpreson që Hojlund të rikthejë formën e tij të vërtetë në Serie A. /Telegrafi/