Please enter at least 3 characters.

Zëdhënësi i PDK-së: Qeveria e shkarkuar ka shkelur sërish Kushtetutën, Avokati i Popullit po rri duarkryq

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë se Qeveria në detyrë e Kosovës ka shkelur për herën e disatë Kushtetutën e Kosovës me një vendim arbitrar që ka shpërfillur totalisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Avokati i Popullit e ka si obligim që të “mbikëqyr dhe mbroj të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.”

Postimi i plotë:Qeveria e shkarkuar e Kosovës sapo ka shkelur për herën e disatë Kushtetutën e Kosovës me një vendim arbitrar që ka shpërfillur totalisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo është shkelja e disatë e rëndë e radhës e qeverisë në ikje të Kurtit dhe avokati i popullit Hilmi Jashari nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë për këto cënime të rendit kushtetues dhe shkelje të lirive themelore të qytetarëve.Z. Jashari, në detyrën e tij si Avokat i Popullit e ka si obligim që të “mbikëqyr dhe mbroj të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.” Ku ka shkelje më të rënda sesa ato që qeveria ka bërë përkundrejt të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Kosovës.Nga njëra anë Avokati i Popullit, Jashari dërgon në gjykatë kushtetuese një çështje si ligji i pagave duke lënë sot ende pa rrogat që meritojnë mjekët, infermierët e të gjithë nëpunësit që janë në vijën e parë të frontit. Nga ana tjetër rri duarkryq kur qeveria haptazi manifeston tendenca autoritare duke shkelur kushtetutën.Me sa duket, Avokati aktual i popullit e ka zëvendësuar popullin me partinë, dhe ka vendosur që të futet në taborrin e mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosjes duke neglizhuar detyrën e tij të shenjtë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Mbase do ishte më e ndershme që avokati aktual i popullit të përfshihet haptazi në Vetëvendosje dhe t’ia lëri pozitën dikujt më të përgjegjshëm që ka më të shtrenjtën Kushtetutën dhe jo partinë dhe udhëheqësin e saj, shokun Kurti. /Telegrafi/