Zbulohet plani i transferimeve të Barcelonës
Barcelona ka nisur përgatitjet për një verë intensive në afatin kalimtar, ndërsa trajneri Hansi Flick kërkon që skuadra të kompletohet sa më shpejt për sezonin e ri.
Drejtuesit katalanas kanë vendosur në krye të prioriteteve tre çështje të rëndësishme: të ardhmen e Andreas Christensen, Joao Cancelo dhe Marcus Rashford.
Situata më delikate mbetet ajo e Christensen. Mbrojtësi danez është në fund të kontratës dhe nuk ka arritur të rikthehet protagonist pas problemeve fizike.
Barcelona i ka ofruar një rinovim vetëm për një sezon dhe me kushte financiare të reduktuara, në përputhje me situatën ekonomike të klubit.
Nuk bëhet fjalë për një kontratë luksoze, por për një mundësi që ai të vazhdojë të jetë pjesë e projektit, duke fituar vendin në skuadër me paraqitjet e tij.
Në moshën 30-vjeçare, Christensen duhet të vendosë nëse do të qëndrojë në La Liga apo do të shqyrtojë ofertat që mund të vijnë nga Anglia ose kampionate të tjera evropiane.
Barcelona e vlerëson eksperiencën dhe fleksibilitetin e tij, pasi mund të luajë edhe në mesfushë në raste të caktuara, por dëmtimet e shpeshta kanë ndikuar negativisht në vazhdimësinë e tij.
Ndërkohë, Cancelo po fiton gjithnjë e më shumë terren në planet e klubit. Portugezi ka bindur stafin teknik me paraqitjet e tij, veçanërisht pas përshtatjes në krahun e majtë të mbrojtjes, ku Flick beson se ai mund të japë maksimumin. Barcelona vlerëson eksperiencën, aftësitë sulmuese dhe faktin që ai mund të luajë në të dy krahët.
Vetë lojtari dëshiron të vazhdojë në “Camp Nou”, gjë që mund të lehtësojë negociatat me Al Hilal. Megjithatë, klubi saudit nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtë dhe operacioni mund të kushtojë rreth 10 milionë euro.
Barcelona po studion alternativa të ndryshme financiare për të finalizuar marrëveshjen.
Sa i përket Rashford, situata mbetet më e komplikuar për shkak të aspektit ekonomik. Sulmuesi anglez ka treguar cilësi të mëdha gjatë huazimit, duke dhuruar gola, asistime dhe paraqitje vendimtare, por forma e tij e paqëndrueshme ka krijuar diskutime brenda klubit.
Manchester United vazhdon të kërkojë rreth 30 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa paga e lartë e lojtarit mbetet pengesë serioze për Barcelonën.
Rashford ndihet mirë në qytet dhe është i hapur për të vazhduar aventurën në Spanjë, por klubi katalanas ka prioritete të tjera në afatin kalimtar.
Flick mbështet qëndrimin e anglezit, por drejtori sportiv Deco duhet të balancojë financat përpara se të marrë një vendim final. Prioriteti kryesor i Barcelonës mbetet afrimi i një sulmuesi qendre të nivelit të lartë, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e Rashford.
Ndeshja e fundit e sezonit ndaj Valencias mund të jetë edhe paraqitja e fundit për secilin prej tyre me fanellën blaugrana.
Për momentin, askush nuk konsiderohet i larguar, por asnjëri nuk e ka të garantuar qëndrimin. /Telegrafi/


