Yamal zbulon finalen e ëndrrave në Botëror: Dua Argjentinën përballë dhe fanellën e Messit
Ylli i Spanjës, Lamine Yamal, ka zbuluar një nga dëshirat e tij më të mëdha në Kupën e Botës, duke ëndërruar një finale ndaj kampionëve në fuqi, Argjentinës.
Talenti i Barcelonës ka bërë të ditur se nëse La Roja arrin deri në ndeshjen finale, ai do të dëshironte përballjen me ekipin e Lionel Messit, ndërsa synimi i tij kryesor mbetet ngritja e trofeut më prestigjioz në futboll.
Në një intervistë për Mundo Deportivo, Yamal u pyet për lojtarin me të cilin do të dëshironte të shkëmbente fanellën pas një ndeshjeje.
Përgjigjja e tij ishte e shkurtër, por domethënëse: “Me Messin”.
Kur u pyet se cilën kombëtare do të dëshironte të kishte përballë në finale nëse Spanja arrin deri në fund të turneut, talenti spanjoll nuk hezitoi: “Argjentinën”.
Pavarësisht moshës së re, Yamal ka treguar ambicie të mëdha, por ka insistuar se asnjë premtim individual nuk ka rëndësi përballë objektivit kryesor, fitimit të Kupës së Botës.
Botërori në Amerikën e Veriut ka sjellë shumë surpriza, me disa lojtarë që kanë shpërthyer në skenën ndërkombëtare.
I pyetur për befasinë më të madhe të turneut deri tani, Yamal përmendi heroin e Marokut, Ismael Saibarin./Telegrafi/


