Please enter at least 3 characters.

Vjen reagimi i Danimarkës pasi Trump emëroi një të dërguar të posaçëm për Grenlandë

Danimarka pret që të gjitha kombet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të respektojnë sovranitetin e saj territorial pasi pesidenti i SHBA-së, Donald Trump emëroi një të dërguar të posaçëm për ta vënë Grenlandën nën kontrollin e Uashingtonit, tha të hënën ministri i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen.

Rasmussen tha në një deklaratë se ndërsa emërimi "konfirmon interesin e vazhdueshëm amerikan në Grenlandë", Danimarka këmbëngul se "të gjithë - përfshirë SHBA-në - duhet të tregojnë respekt për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës".

Transmetuesit danezë TV2 dhe DR raportuan se Rasmussen më vonë tha se do të thërriste ambasadorin e SHBA-së në Kopenhagen, Kenneth Howery, për një takim në ministri.

"E kemi thënë më parë. Tani e themi përsëri. Kufijtë kombëtarë dhe sovraniteti i shteteve janë të rrënjosura në të drejtën ndërkombëtare", thanë kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe homologu i saj i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen në një deklaratë të përbashkët.

"Ato janë parime themelore. Nuk mund të aneksosh një vend tjetër. As me një argument për sigurinë ndërkombëtare".

“Grenlanda u përket grenlandezëve dhe SHBA-të nuk do ta pushtojnë Grenlandën”, shtuan ata në deklaratën e dërguar me email nga zyra e Frederiksen. “Ne presim respekt për integritetin tonë të përbashkët territorial”.

Nielsen i Grenlandës shkroi më parë në Facebook se territori gjysmë-autonom danez ishte “zgjuar përsëri me një njoftim të ri nga presidenti i SHBA-së, por kjo nuk ndryshon asgjë për ne në vend”.

“Grenlanda u përket grenlandezëve dhe integriteti i saj territorial duhet të respektohet”, shkroi Nielsen, duke shtuar se ndërsa territori mirëpret bashkëpunimin me kombe të tjera, kjo duhet të bëhet me respekt për grenlandezët dhe vlerat e tyre.

Ndryshe, Trump njoftoi të dielën se po emëronte Guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Grenlandë, duke thënë se Landry “e kupton sa thelbësore është Grenlanda për sigurinë tonë kombëtare”.

E Landry shkroi në X se "është një nder t'ju shërbej në këtë pozicion vullnetar për ta bërë Grenlandën pjesë të SHBA-së".

Trump ka kërkuar vazhdimisht juridiksionin e SHBA-së mbi ishullin e gjerë dhe të pasur me minerale të Atlantikut të Veriut gjatë tranzicionit të tij presidencial dhe muajve të parë të mandatit të tij të dytë.

Ai madje nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e territorit të vendosur strategjikisht. /Telegrafi/