Please enter at least 3 characters.

Vini Jr emocionon të gjithë: Djali që luante zbathur po shkon në Botërorin e dytë

Vinicius Junior ka reaguar me emocione të mëdha pasi u përfshi në listën përfundimtare të kombëtares së Brazilit për Kupën e Botës.

Sulmuesi i krahut i Real Madridit do të marrë pjesë në Botërorin e dytë të karrierës së tij, duke e konsideruar këtë moment si një nga arritjet më të mëdha personale dhe profesionale.

25-vjeçari ndau një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku rikujtoi rrugëtimin e tij nga fëmijëria e vështirë në Sao Goncalo deri te statusi i një prej futbollistëve më të mirë në botë.

“Djali që dikur luante zbathur në Sao Goncalo është rikthyer. Kupa e Botës është kulmi i karrierës për çdo futbollist dhe unë po shkoj në Botërorin tim të dytë”.

Vinicius theksoi se rruga drejt konsolidimit në mesin e 26 lojtarëve të përzgjedhur nuk ka qenë aspak e lehtë.

“U deshën tre vite e gjysmë punë e palodhur për të siguruar vendin tim mes 26 më të mirëve. Nuk ishte e lehtë. Falënderoj trajnerin (Carlo Ancelotti) për besimin, familjen time dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme”.

Ylli brazilian gjithashtu bëri thirrje për unitet dhe besim te kombëtarja braziliane, duke shprehur dëshirën e madhe për t’i sjellë gëzim vendit të tij në këtë edicion të Kupës së Botës.

“LE TË SHKOJMË SË BASHKU!!! Ne jemi Brazili dhe do të japim gjithçka për t’i sjellë lumturi vendit tonë. Le të jetë kjo histori ndryshe!!! Besoni te skuadra jonë!!! Ëndrra është gjallë!”.

Carlo Ancelotti, i cili ka pasur një rol kyç në zhvillimin e Viniciusit te Real Madridi, pritet të mbështetet shumë te forma e tij edhe në turneun e madh.

Sulmuesi vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm në nivel klubesh, ku ka qenë ndër lojtarët më vendimtarë të skuadrës madrilene me gola dhe asistime në ndeshjet më të rëndësishme. /Telegrafi/