Vetëvendosje shpall Lutfi Hazirin “sportisti” i vitit
Ekziston një traditë e pashkruar, jo obligative, që në përmbyllje të vitit Komuna dhe grupe të ndryshme interesi në mënyrë ceremoniale bëjnë shpalljen dhe promovimin e sportistëve, klubeve sportive dhe punëtorëve sportiv më të suksesshëm të vitit. Dhe kjo ndodh gjithkund, kjo ka ndodhur përherë edhe në të kaluarën, kjo ka ndodhur në të gjitha Komunat e Kosovës, kjo ndodh edhe në gjithë botën.
“Kjo nuk ndodhi kësaj here në Komunën Gjilanit. Sportistët nuk u nderuan nga organet komunale, ani pse ata me angazhimin dhe rezultatet e tyre nderuan komunën dhe qytetaret e saj. Sportistët e komunës tonë nuk pritën lëmoshë dhe as ndonjë shpërblim. Ata kërkuan respekt, e këtë nuk e gjetën kësaj here tek organet përgjegjëse komunale, jo sepse ata u harruan, por sepse pushtetarët nuk kanë vizion për sport dhe sportistë, sepse ata nuk kanë derë brenda organeve komunale që do kuptonte rrugën e gjatë e të mundimshme të suksesit, sepse ata nuk kanë sportistë brenda institucioneve që do ta dinte shpirtin, gëzimin e hidhërimin e sportistit”, tha Nehat Osmani, drejtues i Nënkomitetit për Sport në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
“Elhami Shabani është karateist i përmasave botërore, i rangut të Majlinda Kelmendi, i shpallur kampion evropian në Tiranë, kampion në kupën botërore në Prishtinë, kampion në Austria Open, kampion mbarëkombëtar; Liridon Zeqiri është boksier i niveleve dhe rezultateve të pakontestueshme; KF “Gjilani” me sukses është duke marshuar drejt kthimit në rangun elitar; përparimi i klubi femrave në volejboll; dhe shumë suksese tjera të sportistëve e klubeve të qytetit tonë. Dhe të gjithë këta kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje institucionale, por nuk e gjejnë dot nga pushteti aktual, madje as atë moral”, theksoi Osmani.
Elhami Shabani në mars të këtij viti do ta përfaqësojë Gjilanin dhe Kosovën në kampionatin evropian në Azerbejxhan, dhe do ketë nevojë për mbështetje. Edhe shumë sportistë të tjerë dhe klube sportive do të kenë nevojë për përkrahje.
Sporti gjilanas përgjatë vitit të kaluar ka përjetuar një periudhë të rëndë.
“Prandaj sot, për meritat e jashtëzakonshme në sukseset e sportistëve; për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë tërë vitit dhënë sportistëve; për kompensimin material, financiar dhe moral të sportistëve dhe klubeve sportive; për ngritjen dhe krijimin e kushteve optimale në arritjen e rezultateve kulminante; për përmirësimin e infrastrukturës sportive me ndikim në rritjen e niveleve sportive; dhe shumë “merita” të tjera të tilla, shpallim Lutfi Hazirin si sportistin më të mirë të vitit 2014 në këtë Komunë”, tha në fund me ironi Nehat Osmani. /Telegrafi


