Please enter at least 3 characters.

Veriu i Kosovës – peng i politikës së Beogradit

2016/01/f.1231163554466_m.gif

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, kishte paralajmëruar këtë muaj përfundimin e një strategjie të tillë gjatë muajit janar të vitit të ardhshëm. Por, i pyetur nëse kjo strategji do të mund të zbatohet brenda vitit të ardhshëm, ai u shpreh:

“Unë shpresoj që qytetarët, para së gjithash ata të veriut të Kosovës, ta kuptojnë qëllimin e mirë të Qeverisë dhe të Ministrisë për vendosjen e rendit dhe ligjit, e pastaj edhe proceseve të tjera demokratike”, u shpreh Petrovic për Radion Evropa e Lirë.

Për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, deri më tani, janë paraqitur ide, plane por edhe modele të ndryshme. Autoritetet kosovare, sikurse bashkësia ndërkombëtare, mbesin në kundërshtimin kategorik për ndarjen e kësaj pjese të vendit, shkëmbimin e territoreve apo ndonjë plan, me të cilin do të ndryshoheshin kufijtë në Ballkan.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se parakusht për zbatimin e çfarëdo strategjie që ka për qëllim vënien e veriut nën autoritetin shtetëror të Kosovës, është vendosja e sundimit të ligjit. Ferati, megjithatë, theksoi se “loja” e Beogradit me veriun do të vazhdojë.

"Beogradi është një prej pengesave që të arrihet mirëkuptimi”, tha Ferati.

E bindur për instrumentalizimin e pjesës veriore të Kosovës nga shteti serb, shprehet edhe analistja serbe, Sonja Biserko. Ajo tha se në skenën politike në Serbi ekziston një konfuzion i madh rreth hapave të ardhshëm që duhet të ndërmerren karshi Kosovës.

“Problemi është se serbët thonë se serbët e veriut nuk mund të jetojnë me shqiptarët, ndërsa serbët në jug u inkurajuan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme të Kosovës dhe janë në proces të integrimit në institucionet kosovare. Kjo flet qartë për standarde të dyfishta për serbët në veri dhe ata në jug. Andaj, kjo dëshmon se ata nuk janë të interesuar për serbët, por për atë pjesë të territorit e cila u nevojitet për arsye të tjera”, vlerësoi Biserko. /Telegrafi/