Vazhdon gjykimi për rastin "Pulse" me dëgjimin e dëshmitarëve
Me dëgjimin e dëshmitarëve, përfaqësuesve ligjor të palëve të dëmtuara, në sallën e gjyqit në Idrizovë sot duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, në të cilin humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Seanca paraprake u shty me kërkesë të mbrojtëses së ish drejtor të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Adnan Xhaferovski, avokates Suzana Joshevska-Anastasovska, e cila në ndërkohë u zgjodh anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Në sencën e fundit në dhjetor, familjet e viktimave në zjarrin në “Puls”, me lot, psherëtima të thella, dhe vajtime të dhimbshme, i dëgjuan dëshmitë e nënave zëri i të cilave u thye nga pikëllimi. Të pandehurit heshtën, me kokat ulur, ndërsa dëshmitarët, mes lotëve të mbushur me boshllëk dhe dhimbje të pafundme, porositën se pas 16 marsit jeta e tyre përgjithmonë ka ndryshuar.
Në fillim të procesit, në fjalën hyrëse, prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt vërtetimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën – se kush ka lejuar, kush ka heshtur dhe kush nuk parandaloi të ndodhë tragjedia në “Puls”. Ai tha se nuk është e rëndësishme vetëm kush e ndezi zjarrin, por edhe kush pati mundësi ta parandalojë, duke theksuar se tragjedia nuk është rezultat vetëm i piroteknikës, por edhe i lëshimeve shumëvjeçare të sistemit, heshtjes institucionale dhe mungesës së kontrollit që e kanë shndërruar diskotekën në një “kurth vdekjeje”.
Janev tha se kërkohet drejtësi, jo si hakmarrje, por si pasojë e mosndëshkimit dhe neglizhencës së detyrës. Shumica e të pandehurve, përmes avokatëve të tyre, e kontestuan vlefshmërinë e akuzës. Mbrojtësit e tyre pohojnë se të pandehurit nuk kanë ndërmarrë veprime që mund të çonin në zjarr, se kanë poseduar dokumentacion valid dhe se tragjedia është rezultat i lëshimeve institucionale. Mbrojtja njoftoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve që, sipas tyre, do ta konfirmojnë këtë tezë.
Në fjalën hyrëse, mbrojtja e të pandehurit të parë në diskotekën “Puls”, Dejan Jovanov, tha se edhe pas nëntë muajsh paraburgim nuk mund të besojë në tragjedinë dhe se si prind asnjëherë nuk do të lejonte kushte të pasigurta në klub. Djali i tij, i pandehuri i tretë Mihail Jovanov, përmes mbrojtjes pohoi se kundër tij nuk ka asnjë dëshmi dhe se është akuzuar vetëm sepse është anëtar i familjes Jovanovi.
Të gjithë të pandehurit tjerë deklaruan se nuk ndjejnë faj për veprën për të cilën akuzohen.


