Vazhdojnë korrje-shirjet në Kamenicë, janë korrur rreth 90% e sipërfaqeve me grurë
Procesi i korrje-shirjeve në Komunën e Kamenicës po vazhdon dhe, sipas Komisionit Komunal për Korrje-Shirje, deri më tani është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa probleme të theksuara.
Për shkak të reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit, puna në terren ka pasur ndërprerje të herëpashershme, duke bërë që fushata e korrje-shirjeve të zgjasë deri në përfundimin e plotë të saj.
Sipas të dhënave të Komisionit, deri më 29 korrik 2026 në Komunën e Kamenicës janë korrur rreth 1,125 hektarë me grurë, apo rreth 90 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të mbjellë. Ndërsa, korrje-shirjet e elbit janë përfunduar tërësisht në rreth 70 hektarë sipërfaqe të mbjella.
Komisioni Komunal për Korrje-Shirje ka bërë të ditur se procesi po monitorohet vazhdimisht në terren, në bashkëpunim me fermerët dhe kombajnerët. Sipas tyre, deri tani nuk është evidentuar asnjë ankesë nga fermerët, ndërsa kombajnerët po respektojnë rendin dhe rregullat e përcaktuara.
Bazuar në të dhënat e mbledhura nga fermerët dhe kombajnerët, rendimentet e grurit po sillen nga 3,500 deri në 4,000 kilogramë për hektar, ndërsa rendimenti i elbit është rreth 3,500 kilogramë për hektar.
Komuna e Kamenicës ka njoftuar se monitorimi i procesit do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të fushatës së korrje-shirjeve, ndërsa për rezultatet përfundimtare do të njoftojë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. /Telegrafi/


