United jashtë Kupës së Ligës
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Stadium of Light, Black Cats fituan me rezultat 2-1 dhe me rezultat identik (2-1 në favor të Unitedit) përfunduan vazhdimet në ndeshjen kthyese në Old Trafford, ashtu që rezultati i përgjithshëm ishte 3-3. Pas penaltive në finalen e Wembleyt u kualifikua Sunderlandi.
Djajtë e Kuq nuk ishin aq të rrezikshëm në fraksionin e parë, megjithatë arritën të kalonin në epërsi. Një harkim nga këndi i Adnan Januzajt u devijua nga Welbeck dhe topi shkoi drejt Jonny Evans, i cili shënoi me kokë (37’).
Në fraksionin e dytë, supertalenti shqiptar ishte shumë i angazhuar në përpjekje që t’ia siguronte kualifikimin skuadrës së tij, por deri në mbyllje të kohës së rregullt nuk u shënuan gola të tjerë.
Dhe meqenëse goli në terren mysafir nuk vlen gjatë kohës së rregullt në Kupën e Ligës, u desh që të zhvilloheshin vazhdimet.
Drama ndodhi në fund të vazhdimeve. Sunderlandi e shënoi golin që e kualifikonte në finale me anë të Phil Bardsley (119’).
Mirëpo, United reagoi shumë shpejtë për të kaluar në epërsi dhe për të siguruar penaltitë (120’+1). Golashënues ishte Javier 'Chicharito' Hernandez(120’+1), ndërsa Januzaj ishte kreator i golit dhe dhuroi asistin.
Gjatë ekzekutimit të penaltive më të saktë u treguan lojtarët mysafirë. Shumë lojtarë dështuan të shënonin nga penaltia, mes tyre ishte edhe Adnan Januzaj.
Në finale, Sunderlandi do të luajë kundër Manchester Cityt që në gjysmëfinale eliminoi West Hamin. /Telegrafi/


