Please enter at least 3 characters.

U kritikua që nuk e anuloi koncertin për protestën, Edi Rama i del në mbrojtje publikisht Yll Limanit: Thirrjet për bojkot të koncertit janë të neveritshme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar publikisht në mbështetje të këngëtarit të njohur kosovar Yll Limani, pas kritikave, thirrjeve për bojkot dhe sulmeve në rrjetet sociale që kanë shoqëruar koncertet e tij të fundit në Tiranë.

Përmes një statusi të gjatë në Facebook, Rama u shpreh se ndonëse nuk e njeh personalisht artistin dhe nuk e dëgjon muzikën e tij, e konsideron të papranueshme fushatën e sulmeve ndaj tij.

“NUK E NJOH YLL LIMANIN. Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit”, ka shkruar Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri e lidhi këtë fenomen me klimën e krijuar rreth protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke argumentuar se po rritet një valë presioni, fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit.

Sipas Ramës, po krijohet një kulturë e rrezikshme ku individët etiketohen dhe sulmohen vetëm pse kanë një mendim ndryshe ose zgjedhin të mos marrin pjesë në protesta.

Ai shkroi se protesta është një e drejtë demokratike dhe duhet respektuar, por paralajmëroi se demokracia rrezikohet kur argumenti zëvendësohet me sharje, ndërsa dialogu me intimidim dhe presion moral.

Në statusin e tij, Rama solli edhe shembuj historikë, duke përmendur lëvizje ekstremiste në vende të ndryshme, për të argumentuar se intoleranca ndaj mendimit ndryshe dhe përpjekja për të imponuar një të vërtetë të vetme janë fenomene që nuk duhet të gjejnë vend në shoqërinë shqiptare.

“Kur turma merr kot duke i dhënë vetes të drejtën të vendosë kush ka të drejtë të flasë e kush jo, përfundimi nuk është kurrë liria, por fundi i saj”, shkroi ndër të tjera ai.

Reagimi i Ramës vjen pasi Yll Limani ka qenë në qendër të diskutimeve ditët e fundit, teksa po mban dy koncerte të mëdha në Tiranë, të cilat kanë tërhequr mijëra fansa dhe janë shoqëruar me interesim të madh nga publiku.

Këngëtari nga Prishtina konsiderohet një nga artistët më të suksesshëm shqiptarë të viteve të fundit, me një sërë hitesh që kanë dominuar platformat muzikore dhe skenat koncertale në mbarë trojet shqiptare.

Statusi i kryeministrit ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke e kthyer emrin e Yll Limanit në një nga temat më të komentuara të ditës në Shqipëri. /Telegrafi/