Please enter at least 3 characters.

Turistët e Kupës së Botës shohin atë që shumë amerikanë e kanë harruar

Ilustrim
Foto: Isaiah Vazquez/Getty Images

Nga: Josh Hammer / Newsweek
Përkthimi. Telegrafi.com

Amerikanëve u thuhet vazhdimisht se kombi ynë është i ndarë në mënyrë të pashpresë, me të meta të pariparueshme dhe ndoshta madje në një rënie përfundimtare. Sondazhet e opinionit publik pasqyrojnë këtë zhgënjim, pesimizmin dhe këtë anomi të përhapur. Nëse dikush në anën tjetër të botës do të ndiqte vetëm sondazhet, do të ishte e kuptueshme nëse ai do të besonte se republika jonë pothuajse ka marrë fund.

Por, diçka e jashtëzakonshme po ndodh gjatë Kupës së Botës 2026 - e cila organizohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika. Tifozë nga gjithë bota kanë mbërritur në Amerikë - dhe po e adhurojnë atë. Ne shumë shpesh e marrim si të mirëqenë mënyrën tonë të jetesës, por shumë turistë të futbollit që ndodhen tani këtu nuk reshtin së mahnituri nga ajo që shohin.

Simboli i papritur i këtij fenomeni është “Freddy”, një tifoz i ri gjerman i futbollit, i cili është bërë sensacion i internetit duke dokumentuar udhëtimin e tij të parë rrugor nëpër Shtetet e Bashkuara. Postimet virale të Freddyt në rrjetet sociale kanë tërhequr dhjetëra miliona shikime, sepse ato pasqyrojnë diçka njëherazi të rrallë dhe freskuese: një mahnitje të sinqertë, fëmijërore. Teksa ka përshkuar Jugun e Shteteve të Bashkuara, Freddy është entuziazmuar për gjithçka, nga Waffle House dhe Taco Bell e deri te Buc-ee's, Bass Pro Shops, stadiumet gjigante të futbollit amerikan dhe madhësia mbresëlënëse e shtëpive të zakonshme amerikane të klasës së mesme. Amerikanët, të mësuar t'i marrin të gjitha këto si të mirëqena, kanë ndjekur me kënaqësi një vizitor të huaj gojëhapur, ndërsa ai i përjeton të gjitha për herë të parë.

Por, gjermani Freddy nuk është i vetmi.

Dhjetëra vizitorë të tjerë të Kupës së Botës nga Evropa, Azia dhe vende të tjera kanë mbushur rrjetet sociale me vëzhgime të ngjashme. Ata kanë shëtitur nëpër Walmart dhe Costco, sikur t’i vizitonin monumentet kulturore. Kanë publikuar video për autobusët e verdhë të shkollave, restorantet e vogla të qyteteve të vogla, grilin e Teksasit, supermarketet gjigante dhe bollëkun e madh, si dhe llojllojshmëritë që karakterizojnë jetën e përditshme në vendin më të begatë të planetit Tokë. Suedezja Elsa është dashuruar me salcën ranç. Madje, edhe Administrata e Sigurisë së Transportit e vuri re këtë, duke postuar në rrjetet sociale: “Nëse po na vizitoni për një ngjarje sportive shumë të madhe dhe rastësisht zbuloni salcën ranç ndërsa jeni këtu ... ju lusim ta paketoni në bagazhin që dorëzoni gjatë kthimit për në shtëpi.”

Këto reagime, plot gjallëri rinore, janë argëtuese. Por, ato tregojnë edhe një të vërtetë të thellë: Ndonjëherë duhet një i huaj për të dalluar atë që vendasit nuk arrijnë më ta shohin.

Amerikani mesatar rrallëherë ndalet të mendojë se sa i jashtëzakonshëm mbetet ende vendi ynë sot. Ne ankohemi për shtrirjen e periferive, ndërkohë që jetojmë në shtëpi që do të konsideroheshin luksoze sipas standardeve të pjesës më të madhe të botës. Rrotullojmë sytë me mospërfillje ndaj zinxhirëve të restoranteve, të cilët miliona turistë të huaj i kërkojnë me padurim. Ne e trajtojmë bollëkun si diçka të zakonshme, sepse bollëku është gjithçka që shumica prej nesh kanë njohur ndonjëherë.

Ky familjaritet sjell një lloj verbërie.

Por, turistët e Kupës së Botës nuk janë të verbër. Ata shohin një Amerikë që mbetet dinamike, sipërmarrëse dhe mikpritëse. Takojnë të panjohur të gatshëm për t'u dhënë këshilla udhëtimi. Gjejnë komunitete krenare për të ndarë traditat vendore. Zbulojnë një vend që është shumë më miqësor sesa do të linin të kuptohej karikaurat e tij. Amerika që ata po përjetojnë ngjan shumë pak me stereotipat negativë që kishin përthithur prej kohësh në vendet e tyre.

Amerika, si çdo vend tjetër, ka problemet e veta. Rreziku i një rënieje të zgjatur është shumë real. As patriotizmi nuk të kërkon të shtiresh sikur gjithçka është e përsosur.

Por, kërkon perspektivë - dhe, mbi të gjitha, mirënjohje.

Ndërsa i afrohemi festimit të shumëpritur të 250-vjetorit të Amerikës fundjavën e ardhshme, amerikanët do të bënin mirë të kujtonin se vendi ynë mbetet eksperimenti më i suksesshëm i vetëqeverisjes republikane në historinë e njerëzimit. Shtetet e Bashkuara janë ende fuqia kryesore ekonomike, ushtarake dhe kulturore e botës. Dhe, më e rëndësishmja, ndërsa përgatitemi të kremtojmë fjalët e pavdekshme të vitit 1776, ai mbetet një komb i themeluar mbi të vërteta të përjetshme për natyrën njerëzore dhe dinjitetin njerëzor.

Kjo pikë e fundit ka rëndësi. Republika jonë u themelua mbi parimin, me rrënjë biblike, se qeniet njerëzore zotërojnë të drejta të dhëna nga Zoti dhe se qeveria legjitime ekziston për t'i mbrojtur ato të drejta dhe për të çuar përpara të mirën e përbashkët.

Me fjalë të tjera, Amerika është e madhe sepse Amerika është e mirë. Jo e përsosur. Jo përtej çdo kritike. Por, në thelb e mirë.

Ne e shohim këtë mirësi të pasqyruar në bujarinë me të cilën janë pritur kaq shumë të huaj të mahnitur që po e vizitojnë gjatë Kupës së Botës. Ajo pasqyrohet në frymën që ndërtoi bizneset, atraksionet dhe komunitetet që tani po i lënë pa fjalë.

Vizitorët e huaj që po e kalojnë këtë verë duke zbuluar Amerikën, u kanë përcjellë, pa e pasur këtë qëllim, një mesazh të rëndësishëm atyre që kanë privilegjin ta quajnë këtë vend të madh shtëpinë e tyre. Ata na kanë kujtuar se vendi ynë mbetet i denjë për admirim. Na kanë kujtuar se mirënjohja është shpesh më e përshtatshme - siç është në këtë rast - sesa dëshpërimi. Ndërsa përgatitemi të kremtojmë 250-vjetorin e Amerikës, ky mësim nuk mund të ishte më i duhuri.

Ka plot arsye për shqetësim. Por, ka ende edhe arsye për shpresë.

Bota ende sheh diçka të veçantë në tokën e të lirëve dhe atdheun e trimave. Edhe ne amerikanët duhet ta shohim. /Telegrafi/